“Super-ministria” e Gonxhes, Murrizi: Taktikë e Ramës për t’u prishur ëndrrat 4 personazheve në PS

Krijimi i “super ministrisë” së Blendi Gonxhës, sipas Myslim Murrizit është një taktikë e Edi Ramës, për të treguar se numrin dy të Partisë Socialiste e zgjedh ai.

Në një bisedë me Bruna Çifligun në “Ditari”, ish-deputeti u shpreh se ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit u krijua “për t’u prishur katër figurave të rëndësishme në PS.”

“E ka bërë për të trembur katërshen që kur është vetëm e mendon veten numër dy të PS-së. Erion Velinë, Taulant Ballën, Blendi Klosin dhe Belinda Ballukun. Do t’u thotë që numrin dy e caktoj unë. Nuk e zgjidhni dot ju.”

Po ashtu, Murrizi shtoi se Blendi Gonxhe është një bashkudhëtar i vjetër i Ramës dhe së të dy vijnë “nga e njëjta dorë.”

“Gonxhja, bashkudhëtar, shok nga sigurimi i shtetit… të dy vijnë nga artet, në Ministri të Kulturës kanë qenë…. të dy si veshka mes dhjamit edhe aty ku janë…Ka që në ’98-ën, 26 vjet që janë si vëllezër siamezë.”

Sipas ish-deputetit, një tjetër opsion mund të jetë që kreu i qeverisë po e përgatit Goxhen për ta bërë pasues të Velisë në Bashki, pasi këtij të fundit t’i përfundojë mandati i tretë dhe i fundit.

Sa për kryebashkiakun, Murrizi tha se beson se nuk do të mund ta përfundojë mandatin për shkak të dosjes së Inceneratorëve.

“Nuk ka njeri që e shpëton nga Inceneratori. Siç nuk e shpëtuan dot Ilir Beqen.”

Por përse po i bën Rama këto lëvizje pikërisht tani?

Murrizi vlerëson se, pas largimit të Yuri Kim dhe zhvillimeve në SHBA me Charles McGonigal, kreu i qeverisë nuk i ka më shpatullat e ngrohta dhe për këtë arsye, po sigurohet që narrativën që do të pasojë në PS, pas largimit të tij, ta shkruajë vetë.

“Po kultivon mëkëmbësin. Që si do që të ndodhë ta zgjedhë ai se kush do të jetë në vendin e tij.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *