“Na prenë në besë”, Bujar Osmani: U votua në kampe etnike, presidenti duhet të zgjidhet në Kuvend

Kandidati i Frontit Europian, Bujar Osmani e përshkroi festën e djeshme pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve të para presidenciale, si një kundëreagim ndaj gjuhës së përdorur nga opozita gjatë fushatës elektorale.

Osmani deklaroi për kamerën e A2 CNN se avantazhi me 40 mijë vota pro tregoi edhe njëherë se Ali Ahmeti nuk mund të rrëzohet me propagandë në shesh, por vetëm me një program më të mirë.

“Festa e djeshme u nxit dhe nga gjuha e opozitës gjatë fushatës. E vetmja alternativë e opozitës ishte që ne do të rrëzojmë Ali Ahmetin dhe BDI dhe këtë gjë e thonë prej 20 vitesh. Nuk rrëzohet Ali Ahmeti me thirrje në mitingje, por me ofertë serioze”, tha Osmani.

Kandidati për president shprehu edhe njëherë keqardhjen për përçarjen e votës së shqiptarëve, e cila nëse do të ishte e bashkuar do të çonte për herë të parë një shqiptar në raundin e dytë. Për këtë çështje ai hodhi akuza ndaj opozitës për prerje në besë dhe zbuloi se Ali Ahmeti kishte bërë përpjekje për një emër konsensual.

“Sa i përket garës politike ne shpallëm një fitore të thellë ndaj opozitës shqiptare me 40 mijë vota para. Kjo tregoi se ku është përcaktuar populli për integrimin. Për fat të keq qytetarët votuan brenda kampeve etnike. Përçarja e votës shqiptare na pamundësoi shkuarjen në raundin e dytë dhe këto duhet të jenë zgjedhjet e fundit për president, pasi ai duhet të zgjidhet në Kuvend me konsensus.

Ne i bëmë të gjitha përpjekjet për të pasur një kandidat në këto zgjedhje. Ali Ahmeti ishte ai që koordinoi përpjekjet duke ofruar që të gjejmë një figurë mbipartiake dhe për herë parë të shkonim në raundin e dytë. Na shkelën në besë, por ai dhe partinë e vetë e ka njoftuar në rrjetet sociale, prandaj ishte dhe rezultati i tillë, pasi sinqeriteti ishte shumë i rëndësishëm”, shtoi ai.

Për raundin e dytë të zgjedhjeve, Bujar Osmani kishte një thirrje për të gjithë zgjedhësit që të bashkojnë votën për fuqizimin e frontit europian.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *