DETAJET e fundit/ Zbardhet dëshmia në gjyq, a e pranoi krimin bashkëshorti i akuzuar se pagoi 30 mijë euro për të vrarë g

Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarve Naim Murseli, Granit Plava i cili u pagua të kryente krimin si dhe Kushtrim Kokalla si i dyshuar i tretë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Avokati mbrojtës, Ahmet Ameti, është shprehur se Naim Murseli “nuk është fare i involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk ka arsye ta ketë gisht në krim.”

Avokati gjithashtu në seancën e parë dëgjimore ka kërkuar nga gjykata që të mos aprovojnë kërkesën për paraburgimit ose të caktojë ndonjë masë tjetër.

Dorasi Granit Plava ka zgjedhur të mbrohet në heshtje, por me t’u arrestuar kishte pranuar të ketë kryer vrasjen dhe kishte deklaruar se për këtë vepër Murseli i kishte ofruar 30 mijë euro; 15 mijë në avans dhe 15 mijë pas kryerjes së veprës.

Sipas Gjykatës, bazuar në arsyetimin e Prokurorisë ka prova të mjaftueshme për të cilat më pas të akuzuarit do të mund të arratiseshin ose të ndikonin në prova.

Sipas njoftimit të Gjykatës, Naim Murseli ia kishte dhënë edhe armën Granit Plavës për ta kryer krimin.

Njoftimi i gjykatës:

Prishtinë, 03 dhjetor 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit N.M për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje, G.P për veprën penale Vrasje e rëndë dhe vepën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe i pandehuri K.K për shkak të veprës penale Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.
Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurve, andaj gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *