Merret vendimi pas kërkesës së familjes Ademaj për rivarrim të Liridonës. Reagon për ngjarjen edhe kryeministri Kurti

Është pranuar kërkesa e familjes Ademaj për zhvarrosjen e trupit të Liridona Ademajt, e cila u vra në mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Sinidoll afër Prishtinës.

Lajmin e ka bërë me dije vëllai i së ndjerës Leonard Adema, i cili për mediat e Kosovës ka thënë se rivarrimi do të bëhet nesër nga ora 14:00.
Kërkesa u bë ditën e sotme nga Bajram dhe Zade Ademaj, prindërit e Liridona Ademajt.

“Kjo është një procedurë dhe përjetim tepër i rëndë për neve dhe këtë vendim e kemi marrë me shumë vështirësi, por duam që ajo të prehet në shtëpinë e saj”, thuhej në kërkesë.

Ka reaguar edhe kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti për vrasjen e Liridona Ademaj.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, duke thënë se gratë dhe vajzat po vriten ndërsa arrestimi i autorëve nuk mjafton.

Mes tjerash ai nënvizon se barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore.
“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua.
Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë.

Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore.

Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin.

Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi.

Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend.

Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu.

E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin”-theksoi Kurti në reagimin e tij.

Sakaq, sot është mbajtur seanca dëgjimore ndaj ish-bashkëshortit të saj Naim Murselit, ish-bashkëshortit të Liridona Murselit, dhe ndaj dy të dyshuarve të tjerë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *