Kryesocialisti Edi Rama po vijon turin e tij elektoral për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, teksa sot ishte në qarkun e Beratit.
Kreu i qeverisë zhvilloi takim edhe me gratë dhe vajzat e këtij qarku, një ritual politik i tij që prej ditës së hapjes së fushatës, më 11 prill.
“Voto 5! Berati është grua, Shqipëria është grua, Europa është grua”, shprehej kryesocialisti pak para se të mbante fjalën e tij, me një postim të shkurtër në rrjetin social.
Mes përfaqësuesve që mbajtën fjalën ishte edhe ish-kryebashkiaku Ervin Demo, që dha dorëheqjen për të kandiduar për deputet të qarkut, teksa mban edhe detyrën e drejtuesit politik të PS.
Demo u shpreh se flet para grave dhe vajzave si ish-kryetar i tyre dhe jo si politikan, duke përmendur investimet e realizuara dhe projektet e ardhshme.
“Vetëm qeverisja socialiste e mundëson integrimin e Shqipërisë në BE. Ne do marrim një rezultat spektakolar më 11 maj, ne nuk e diskutojmë 5 me 2-shin. Ata të tjerët që kanë ardhur kanë ardhur si turista dhe do ikin si të tillë. Pesta është numri që i sjell fat këtij qyteti, me 5 mandate për qarkun tonë”, tha ai mes të tjerash.