Superkomisioni antikorrupsion, Ndreca: Presim që opozita të bëhet pjesë, kontroll të gjithëve!

Opozita e konsideroi justifikimin fjalimin e Edi Ramës për korrupsionin në vend, por ende nuk i dha përgjigje ftesës për të qenë pjesë e komisionit që do kontrollojë të gjithë institucionet.

Nga studio e Debat në A2 CNN, deputeti i mazhorancës, Plarent Ndreca përsëriti ftesën për opozitën, duke thënë se ky komision i posaçëm duhet të jetë gjithëpërfshirës.

I pyetur nëse ka pasur një rakordim me pakicën para prezantimit të nismës, Ndreca mohoi një gjë të tillë.

“Rezoluta është e përcaktuar shumë qartë që nuk do të ketë prekje të kolonave kushtetuese, të asaj që në kushtetutë është parashikuar për sistemin e drejtësisë. Siç edhe në rezolutë përcaktohet, patjetër që ky komision i posaçëm, që ne shpresojmë shumë të ketë edhe prezencën e opozitës, do të bëjë cekimit e të gjithë sistemit për ritmin që ne kemi në prag të BE-së. Ky komision do të arrijë të bëjë një çekim të të gjithë sistemit të të gjitha institucioneve të pavarura dhe të qeverisë në funksion të luftës që ne përmendëm.

Pra, unë them që komisioni, duhet të presim se si do të jetë formatimi, në kuptimin që sa e gatshme do të jetë opozita për t’iu bashkuar kësaj rezolute, këtij qëndrimi politik që ne shpalosëm sot. Unë mendoj që nuk ka asnjë arsye pse jo sepse është një qëndrim politik në frymën e Kushtetutës dhe të asaj që Kushtetuta i ka njohur Parlamentit të Shqipërisë. Opozita nuk duhet vetëm për votat, por edhe si pjesë shumë e rëndësishme e mirëqeverisjes. Opozita ka pjesën e saj të përgjegjësisë në ushtrimin e pushtetit. Në momente të caktuara, nëse do të kërkohet apo do të jetë rezultante e punës së komisionit të posaçëm ndërhyrja në ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar, sigurisht që duhen dhe numrat dhe vullneti i opozitës. Në dijeninë time nuk ka rakordim për këtë”, tha Ndreca.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *