Ringjallja e gjuhës shqipe, Elton Heta në betejë me Google: Fitimet online të shqiptarëve do të trefishohen

Nga Luiza Pinderi

Të qenurit një degëz e pavarur në trungun e gjuhëve indo-evropiane, dhe njëkohësisht e dokumentuar shumë vonë, mund të lexohet sot si një “mallkim” për gjuhën shqipe. Herë pas here duhet të afirmojë veten dhe të bindë botën se është aty, e vlefshme, e dobishme, e domosdoshme. Shekujt e kaluar, kur letra njihej, prekej dhe lexohej, ishin studiuesit që i nxirrnin rrënjët nga dheu. Sot, në epokën e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, janë platformat online. Prej vitit 2012, Google e ka nxjerrë gjuhën shqipe nga sistemi, e ka degdisur jashtë planetit, sepse të mos figurosh aty është gati si të mos ekzistosh, ose të jetosh i vetëm në shkretëtirën e Marsit. Nuk penalizohet vetëm gjuha, penalizohen shqiptarët në gjithë globin, bizneset, mediat, reklamuesit, të gjithë ata që flasin shqip dhe fitojnë nëpërmjet platformave online, të gjithë ata që prezantojnë një produkt apo shërbim dhe duan që të mbërrijë në sa më shumë persona.

Fatmirësisht, ka ende profesionistë, njerëz të pasionuar, që gjejnë mënyra për të rikthyer “nderin e humbur” të gjuhës shqipe dhe iu japin mundësi shqiptarëve në të gjithë botën të përfitojnë nga të mirat e teknologjisë, në një kohë që jeta është bërë kaq shumë teknologjike. Një prej tyre është Elton Heta. Një i ri i diplomuar, si në ciklin Bachelor ashtu edhe Master, për Teknologji Informacioni. Prej 3 vjetësh ai punon në agjensinë e marketingut, boss.al, dhe ka një eksperiencë të pasur në ndërtimin dhe menaxhimin e web-eve.

Nuk është se u zgjua një ditë dhe krejt nga hiçi i lindi ideja që të niste një betejë bindjeje me gjigantin e teknologjisë, motorin e kërkimit më të përdorur në botë. Në fakt nuk është as i pari që ka marrë këtë nismë. Në platformën Change.org, ku ai ka krijuar një peticion për shtimin e gjuhës shqipe nga kompania në Google Ads dhe Google Adsense, ka edhe peticione të tjera të mëhershme, por që nuk kanë pasur impaktin, ndikimin dhe nënshkrimet që ka mbledhur Heta, dhe që pa frikë thuhet se ka shënjuar rekord. Për gati 5 muaj, peticioni i hapur prej tij ka mbledhur 23 540, ndërsa objektivi që synon të arrijë është 25 mijë. Po çfarë do të ndodhë kur të arrihet shifra e caktuar? Në këtë intervistë për Liberale, ai sqaron më tej qëllimin e peticionit, mënyrën sesi funksionin platforma, përfitimet e mëdha për shqiptarët duke trefishuar përfitimet e tyre nëpërmjet bizneseve apo veprimtarisë online.

Ideja e peticionit të ka ardhur për shkak edhe të punës tënde, si IT dhe Web Developer. Por kur vendose të krijoje peticionin, a mendoje se kjo ishte mënyra e vetme për ta rikthyer edhe njëherë gjuhën shqipe?

Po është e vërtetë që ideja nisi si pasojë e punës time të përditshme si IT dhe Web Developer, pasi duke u përballur çdo ditë me probleme që nuk vareshin nga unë mendoja shpesh se si këto probleme mund të zgjidheshin. Kur vendosa të krijoja peticionin nuk e nisa me mendimin se kjo ishte rruga e vetme për ta zgjidhur problemin, por e shikoja si mënyrën më të mire të mundshme për sa unë kisha mundësi në këtë çështje.

Kisha ndjekur dhe mbështetur më parë edhe peticione të tjera të ngjashme ku mund të përmendim rastin e peticionit ndaj Google për urimin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe peticionin ndaj Spotify për shtimin e artistëve shqiptarë në platformë ku të dy peticionet janë fituar.

Në platformën ku ke krijuar peticionin, para teje ka pasur edhe disa tentativa dhe kërkesa për të shtuar gjuhën shqipe. Megjithatë, peticioni yt ka thyer rekord dhe gati po shkon 25 mijë. Çfarë e ka bërë të suksesshme këtë fushatë, ndihma, vetëdijesimi, nevoja e shqiptarëve?

Është e vërtetë që para krijimit të peticionit nga unë ka pasur edhe peticione të tjera, por ndryshe nga ai që nisa unë, disa të tjerë janë nisur nga persona anonim dhe disa janë krijuar nga persona që i kanë nisur kanë humbur ndoshta shpresat se mund t’ia dalin.

Arsyeja kryesore që kjo fushatë ka ecur me ritme goxha të mira është fakti që unë gjithmonë do besoj që kur të gjithë bëhemi bashkë mund t’ja dalim sado e vështirë të jetë situata që kemi përballë dhe kjo më ka bërë të mos e humb kurrë besimin që një ditë edhe gjuha shqipe do jetë pjesë e platformave të Google. Diçka tjetër që dua të theksoj për sa i përket ecurisë së fushatës së deritanishme është edhe përkrahja e kësaj nisme nga gazetarë, artistë, media, kolegë etj., ku pa dyshim mbështetja e tyre ka bërë që peticioni të jetë në qendër të vëmendjes.

Nëse arrin objektivin dhe 25 mijë nënshkrime, çfarë ndodh? A e pranon gjuhën shqipe Google për ta shtuar në google add apo google adsense? Dhe nëse po, çfarë duhet të bëhet që të mos merren sërish masa penalizuese si në 2012?

Platforma ku peticioni po zhvillohet është platforma më serioze për sa i përket peticioneve dhe sistemi i saj funksionon me objektiva që rriten sa herë kapet një shifër që stafi i tyre pretendon një reagim nga kompania ose institucioni që po i drejtohet peticioni. Sa herë ajo shifër nuk merr një reagim platforma shfaq një objektiv të ri. Pra nëse në momentin që do arrihet shifra 25000 nënshkrime dhe nuk do ketë reagim nga Google, platforma Change.org do të  na shfaqë një shifër tjetër më të lartë.

Nëse do kemi një reagim nga Google dhe nëse gjuha shqipe do bëhet pjesë e platformave, ajo që duhet bërë pas kësaj arritje që do jetë vërtetë arritje, është që ne thjesht duhet ta shfrytëzojmë dhe ta përdorim për qëllime të mira në sektorë të ndryshëm.

Çfarë do të përfitojnë shqiptarët, bizneset, mediat nëse arrihet objektivi? A mund të ndiqet e njëjta rrugë edhe për platformat e tjera online, të Meta-s apo Youtube?

Në momentin që gjuha shqipe do jetë pjesë e Google Ads dhe Google AdSense të gjithë do përfitojmë nga kjo, bizneset do kenë mundësi të reklamojnë dhe shesin produktet ose shërbimet e tyre tek konsumatorët më të interesuar, mediat do arrijnë të fitojnë të ardhura nga shikimet e tyre në website dhe të rrisin ndjeshëm fitimet e tyre nga YouTube, këngëtarët, aktorët, blogerët etj po ashtu do rrisin ndjeshëm fitimet e tyre, zhvilluesit e aplikacioneve dhe platforma do kenë mundësi të fitojnë nga platformat që ndërtojnë, të tjerët që sot nuk kanë një biznes, do të shtyhen nga këto mundësi për të krijuar një biznes etj.

Po patjetër që mund të ndiqet e njëjta rruge edhe për platforma dhe problematika të tjera dhe për këtë kam menduar të nis pas arritjes së këtij objektivi disa peticione të tjera të një rëndësie të lartë, por mendoj që duhet të arrihet ky që unë të krijoj një peticion tjetër pasi 2 ose më shume peticione njëkohësisht kërkojnë shumë angazhim.

Për sa i përket YouTube nëse ky objektiv arrihet problemet aktuale në Youtube do zgjidhen pasi edhe YouTube është në varësi të Google dhe kryesisht Google AdSense ndaj fitimet aktuale të mediave, këngëtarëve etj sipas disa llogaritjeve paraprakisht minimum do trefishohen pra nëse sot me 1000 shikime fitojnë 10$ pas arritjes së objektivit me 1000 shikime do të fitojnë minimum 30$.

Si një profesionist i fushës, a mendon se shqiptarët e njohin teknologjinë si duhet dhe a po e përdorin atë për mirë për të përfituar?

Shqipëria dhe shqiptarët kanë bërë goxha progres në teknologji, por për fat të keq akoma mund të themi që jemi një popull që teknologjinë e përdorim kryesisht për të shpenzuar kohën e jo për benefitet që teknologjia sjell.

Bizneset vitet e fundit kanë treguar interes për integrimin e biznesit të tyre edhe online dhe kjo është pozitive por duhet akoma mirë informim, pasi shumica nuk e kuptojnë se si funksionon biznesi online dhe kjo i bën të jenë akoma indiferentë ndaj teknologjisë. Dua t’iu bëj thirrje të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen të nënshkruajnë peticionin dhe ta ndajnë atë me miqtë në mënyrë që edhe gjuha shqipe të jetë e barabartë në botën e internetit me gjuhët e tjera të rajonit, që sot e kanë mundësinë që ne akoma nuk e kemi./Liberale.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com