Përveç Kievit, Rusia akuzon SHBA dhe Britaninë për masakrën në Moskë: Raprezalje kundër sulmit terrorist

Pasi sugjeroi fillimisht në mënyrë indirekte se Ukraina mund të kishte lidhje me masakrën e së premtes në Moskë, Rusia implikon tani drejtpërdrejtë Kievin.

Kreu i FSB-së, Alexander Bortnikov, akuzon shërbimet sekrete të Ukrainës se kanë lehtësuar sulmin terrorist në sallën e koncerteve Crocus, në periferinë perëndimore të Moskës. Sipas agjencisë së lajmeve Ria Novosti, Bortnikov ka theksuar se sulmi është përgatitur nga radikalët islamikë, por me mbështetjen e Ukrainës, edhe në arratisjen e 4 terroristëve. Sipas tij, informacionet paraprake të grumbulluara edhe nga marrjet në pyetje të të arrestuarve konfirmojnë pistën ukrainase.

“Ne besojmë se sulmi u përgatit nga radikalët Islamike dhe u lehtësua nga shërbimet e posaçme perëndimore. Sa i përket shërbimeve të inteligjencës ukrainase ata janë të përfshirë direkt. Agresorët janë trajnuar nga Kievi në Lindjen e Mesme. Rusia do të përgjigjet me masa raprezalje kundër sulmit terrorist”, tha Alexander Bortnikov.

Kreu i Agjencisë Ruse të sigurisë përmend në krye të listës së raprezaljes shefin e shërbimeve sekrete ushtarake në Ukrainë Kirylo Budanov, që sipas tij, është kthyer në objekt legjitim të forcave ruse, ashtu si çdokush që përgatit krime kundër Moskës.

Ukraina, sipas Rusisë, po bëhej gati t’i priste si heronj autorët e masakrës. Inteligjenca ruse e drejton në fund gishtin edhe nga perëndimi duke pretenduar një përfshirje të SHBA dhe Britanisë së Madhe në sulm. Nuk ka vonuar reagimi i NATO-s, që i cilëson si qesharake akuzat e Kremlinit. “Nuk është paraqitur asnjë provë, bëhet fjalë për një tjetër dezinformim të Rusisë”, thotë një burim i Aleancës. Po ashtu, Kievi reagoi ashpër duke theksuar se mashtrimet që u përmenden fillimisht nga Putin po përhapen tanimë edhe zyrtarisht.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *