Kinë/ Galaja e Festës së Pranverës 2024, një banket kulturor

Galaja e Festës së Pranverës, një shfaqje e përvitshme televizive e organizuar nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG), u hap në orën 20:00 të së premtes sipas orës së Pekinit, në vigjilje të Vitit të Ri Kinez.

Galaja përmbante një program të larmishëm, që nga këngët, vallet, skeçet, dramat tradicionale, deri te artet marciale, komeditë muzikore, numrat akrobatikë, filmat me metrazh të shkurtër etj.

CMG-ja ka përdorur plotësisht integrimin e platformave të veta mediatike, duke shënuar rekord në përmasën e transmetimit multimediatik të galasë.

Shikueshmëria e galasë në kanalet televizive të CMG-së zuri 76.2 për qind të tregut televiziv të Kinës, me një rritje 2.1 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Për sa u përket mediave të reja, ajo tërhoqi 188 milionë shikues, 56.7 për qind më shumë se një vit më parë.

Deri në orën 24 të mesnatës së 9 shkurtit, numri i shikuesve brenda Kinës që ndoqën transmetimin të drejtpërdrejtë të Gala-së i kaloi 679 milionë. Për sa u përket platformave të mediave të reja, ajo tërhoqi 250 milionë shikues, duke ngjallë mbi 16 miliardë reagime interaktive në rrjetin social.

Në Galanë e sivjetshme u përdor modeli “1+4”, i përbërë nga një vend kryesor i shfaqjes në Pekin dhe katër vende dytësore, përkatësisht Shenyang në Verilindje, Xi’an dhe Kashgar në Veriperëndim dhe Changsha në pjesën qendrore të Kinës. Nëpërmjet skenografisë, interpretimit artistik dhe paraqitjes së mrekullueshme, shfaqjet e integruara në këto vende shfaqën kulturën e pasur folklorike të krahinave të ndryshme të vendit.

Galaja e Festës së Pranverës është një ngjarje e madhe kulturore për të gjithë kinezët gjatë kremtimit të Vitit të Ri. Galaja, që nga fillimi i saj në vitin 1983, është përfshirë në librin e rekordeve botërore “Guinness” si programi më i ndjekur në botë me miliarda shikues çdo vit.

Festa e Pranverës këtë vit bie më 10 shkurt. Ky është Viti i Loong-ut sipas kalendarit hënor kinez me 12 shenja zodiaku. Shenja Loong(dragua kinez) simbolizon frymën e përparimit të fuqishëm, trimëri dhe begati.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *