Hoxhaj: Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë zero, qeveria e Kurtit, përçarëse. ‘Open Balkan’ ishte mundësi për shqiptarët

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës dhe njëherazi nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka komentuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Sipas tij marrëdhëniet mes dy shteteve aktualisht janë zero, teksa tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka kthyer qeverinë e tij në një platformë që i përçan shqiptarët, duke përmendur zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut.

Sa i përket OpenBalkan, Hoxhaj u shpreh se ai e ka parë atë si një mundësi që shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut të  të krijonin një kohezion ekonomik dhe shoqëror.

“Aktualisht marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë zero, përtej një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive. Mendoj se Kurti e ka bërë qeverinë e tij në një platformë që i përçan shqiptarët, E bëri këtë në zgjedhjet në Maqedoni së fundmi duke ndërhyrë.

Jam nga të rrallët që kam mbajtur qëndrim për Open Balkan. Kam qenë prej të parëve kur ka pasur një propozim si mini-Shengen e kam kundërshtuar si ministër. Sot në rrethanat ku është rajoni Ballkanin e Hapur duhet ta trajtojmë si temë në interes të shqiptarëve. Si e shoh unë nuk është në dimensionin rajonal tonin. Integriteti territorial i Kosovës varet shumë nga raporti me SHBA. Ku e shoh përparësinë është si shqetësim personal që sot kemi 3 republika pothuajse shqiptare në Ballkan, jemi 3 vëllezër me 3 shtëpi të ndryshme.

Por ne jemi edhe 3 shoqëri, një shoqëri shqiptarësh në Shqipëri, një në Kosovë dhe një në RMV. E kam parë OpenBalkan si mundësi për të krijuar kohezion ekonomik, shoqëror, e një elitë të përbashkët. Pse mos të ketë një ligë të përbashkët të sporteve për shembull në hapësirën tonë? Shqiptarët mund të krijojë një bllok të ri social, ekonomik nëse duan të jenë kufijtë e hapur, ndërsa me Serbinë duhet të shihet dialogu me ndërmjetësim perëndimor”, u shpreh ai./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *