VMRO-DPMNE fiton zgjedhjet e dyfishta në RMV, shqiptarët sigurojnë 32 mandate në Kuvend

Opozita e drejtuar nga Hristian Mickoski është fituese e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, që u mbajtën këtë të mërkurë në Maqedoninë e Veriut. Socialdemokratët e Dimitar Kovaçevskit, që kanë qeverisur vendit gjatë viteve të fundit, pësuan një disfatë të rëndë si në zgjedhjet për parlamentin e ri ashtu edhe për presidentin e Maqedonisë së Veriut.

Teksa janë numëruar rreth 90 për qind të votave për deputetë, VMRO-DPMNE kryeson bindshëm rezultatet me afro 43 për qind të votave.

LSDM-ja e Kovaçevski nga një forcë qeverisëse renditet në vend të dytë me një diferencë të madhe nga VMRO-DMPNE.

Sipas të dhënave paraprake kjo forcë ka marrë vetëm 14.8 për qind. Një rezultat të mirë ka shënuar koalicioni i partive shqiptare “Fronti Europian” që kryesohet nga BDI e Ali Ahmetit.

Ai renditet i treti me 14.3 për qind të votave, ose thënë ndryshe afërsisht aq sa ka edhe LSDM.

Në vend të katërt renditet një tjetër koalicion partish shqiptare. Bëhet fjalë për koalicionin VLEN, i cili ka siguruar deri më tani rreth 11.2 për qind të votave.

Kjo mjaftoi që mbështetësit e kësaj force të nisnin festën. E përkthyer në mandate VMRO-DPMNE ka siguruar 59 ulëse, dy më pak se numri i nevojshëm për të qeverisur e vetme.

LSDM ka siguruar vetëm 19 ulëse, 1 më shumë se Fronti Europian me 18. Ndërsa koalicioni tjetër i shqiptarëve ka siguruar 13 mandate.

Kreu i LSDM-së pranoi rezultatin, të cilin e konsideroi një goditje të rëndë. Kreu i Fronitit Europian e konsideroi një rezultat të mirë, ndërsa nuk nguroi të urojë Misckoskin.

Bilal Kasami nga koalicioni Vlen tha se kishin fituar në të gjitha komunat me shumicë shqiptare dhe se do të nisnin negociatat me VMRO-DMPNE për të krijuar qeverinë.

Një fitore të thellë opozita shënoi edhe në zgjedhjet presidenciale, ku kandidatja e saj Gordana Davkova nga numërimi i 85 për qind të votave ka siguruar rreth 65 për qind të tyre.

Ende pa u mbyllur numërimi i plotë, presidenti në detyrë, Stevo Pendarovski që kandidonte për një mandat tjetër, pranoi humbjen.

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare ishte 53 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, ndërsa në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishte 46.31.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *