“Të arrestohet Berisha”, depozitohen në Kuvend raportet e Këshillit të Mandateve pas kërkesës së SPAK

Dy raportet e hartuara nga anëtarët e Këshillit të Mandateve janë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë. Dorëzimi i këtyre dy raporteve në Kuvend vjen 2 ditë pasi Këshilli i Mandateve votoi me 6 vota pro kërkesën e SPAK që kërkon autorizim për arrestimin e Sali Berishës.

Të dy raportet kërkojnë dhënien e autorizimit për t’i hapur rrugë kërkesës së SPAK që kërkon heqjen e imunitetit të Sali Berishës dhe më pas arrestimin e tij. Ndërkohë ditën e nesërme Kuvendi pritet që të votojë heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit Sali Berisha, gjë që do i hapë rrugë përfundimisht kërkesës së SPAK për “masë arresti” ndaj tij.

“Përfundimisht, si anëtar i Këshillit për Imunitetin, i rekomandoj seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë, për miratimin kërkesës për dhënien e autorizimit, të kërkuar me shkresën nr. 16688 prot., datë 12.12.2023 të SPAK “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, thuhet në konkluzionet e raportit të Alibeajt.

“Anëtarët e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, duke vlerësuar parimet kushtetuese për funksionimin e shtetit së drejtës, parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, barazisë para ligjit së të gjithë shtetasve, respektimit të të drejtave të njeriut dhe garancive procedurale në hetim dhe procesin penal, me qëllim që drejtësia të ushtrojë funksionet e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, në zbatim të nenit 73 të Kushtetutës, nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit, unanimisht i rekomandojmë Kuvendit: Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha”, thuhet në raportin e mazhorancës socialiste.

Kujtojmë se Berisha akuzohet për korrupsion në dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, ku i akuzuar është edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *