Skenar shumë i dobët i një princi që bën viktimën me një plak të thinjur, çfarë do t’i thotë të bijës kur të rritet

Nga Dorjana Bezat

Elia është artiste. E kam duartrokitur kur e kam ndjekur në skenën e teatrit. Kam kënduar njëzëri teksa e ndiqja nga televizori kur performonte me grupin “Spirit Voice”. Ajo që sot del në portale nuk e përcakton Elian. Elia dhe çdo grua nuk e meriton atë!

Një divorc nuk është thjesht mbyllja e një marrëdhënie dhe ndarja e pasurisë, është më komplekse se kaq. Lëndon, mërzit dhe lë shenjë. Aq më tepër kur në mes ka fëmijë. Unë nuk marr përsipër të flas se çfarë ka ndodhur mes çiftit. Të dy pretendojnë dhunë dhe kanë kërkuar mbrojtje. Por, filmimi i një gruaje në dhimbje, të lënduar, të prekur dhe hedhja e pamjeve për konsum në median online nuk është aspak fisnike e aq më tepër mbretërore.

Një burri 2 metër nuk i shkon të bëjë viktimën me një plak të thinjur që vuan po aq sa e bija dhe me nënën e fëmijës së tij. Atë grua artiste që sot ka hematoma në dorë e krahë.

Medemek Princi përpara se të kapte celularin për të xhiruar të kujtohej për vogëlushen 3-vjeçare që me siguri dëgjonte të qarat e nënës së saj.

Një xhaketë e tërhequr me forcë a e justifikon atë që pasoi? Filmin me metrazh të shkurtër të një akti “dhune” nga një grua që thotë “mos më prek babin që të ka mbajtur me bukë”; denoncimin; kërkimin e urdhërit të mbrojtjes dhe servirien në pjatë argjendi të fabulës “Dhunohet Princi”, në median online.

Aspak fisnike! Aspak mbretërore!

Edhe nëse ka pasur një reagim të ashpër nga ajo që ka ndarë shtratin për 1 dekadë dhe ai burri me thinja që sheh sot të bijën të lënë mënjanë, a ishte aq e vështirë të mbyllej ajo derë dhe komunikimi të riniste një moment tjetër?! Sakrificë e madhe është?

Skenar shumë i dobët që të besohet se nga hiçi dy njerëz u turrën me statuja druri e shkelma. Nuk di kur të rritet e bija çdo t’i thotë për të shkuarën! Do të nisë t’i tregojë se çfarë ka bërë stërgjyshi i saj, gjyshi etj. Si do t’i tregojë se në 2000 u bë trashëgimtar i fronit dhe në 2024 u bë një njeri i vogël fare, shumë larg emrit dhe statusit?

U mata shumë të shkruaja apo jo për këtë çështje. Vendosa të shkruaj për Elian. Për shumë Elia të tjera që i takoj e lexoj në komunikata policie.

Tradhtohen, përbuzen, divorcohen dhe për interesa të atij që dikur kishin bashkëshort pas emrit të tyre vijnë epitete “e dhunshme”, “agresive”, “me probleme të shëndetit mendor”.

Ky burri që zakonisht ka para, shokë e njohje i merr durimin, rininë në fund dhe fëmijët në gjykatë sepse investohet shumë që të sigurojë prova për ato mbiemrat që përmenda më parë.

Ta gëzoni Marsin tuaj të dashura gra dhe vajza! Mos heshtni!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *