SHIFRA E DITËS: 500 milionë euro në vit fatura e buxhetit, për po kaq pensionistë. A mjafton dhe çfarë premton reforma?

Aranit Muraçi

Është detyrë e qeverisë. Është detyrim i tërë shoqërisë. Mbi të gjitha është detyrim moral për të gjithë. Braktisja e moshës së tretë, trajtimi i padrejtë ose lënia në harresë e tyre do të peshojë mbi supet e gjithsecilit herët a vonë, në një formë apo tjetër.

Ata janë brezi që u detyruan shpesh të punonin vullnetarisht në rininë e tyre. Ose punuan dhe u paguan sa për mbijetesë. Në kulmin e karrierës, përjetuan vitet e tranzicionit të vështirë. Herë me punë dhe herë të papunë, herë të siguruar dhe herë jo, brezi i sotëm i pensionistëve mbajti mbi “supe” transformimin e Shqipërisë, nga një vend thuajse mesjetar në një vend në zhvillim dhe me shpresë se do tê arrijë krahas vendeve të tjera të zhvilluara.

Ndoshta djersa e këtij brezi u tjetërsua nga abuzuesit me pushtet, të cilët, nga ana tjetër çdo arritje të vendit të tyre ia atribuojnë vetes.

Prandaj edhe pensionistët shpesh janë harruar dhe mund të quhen ‘brezi i harruar’.

Reforma e skemës së pensioneve është aktualisht në rishikim me qëllim që të gjendet një qasje, e cila të sheshojë diferencat e indeksimit vjetor të pensioneve.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete, premtoi se do të ketë reformë të skemës teksa foli në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2024.

Mete tha se ndryshimet janë në fazën e konsultimit me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe po marrin në konsideratë ndryshimet demografike dhe efektet që do krijojnë në ecurinë e numrit të kontribuuesve dhe përfituesve në vijim.

Me aq sa mësohet po punohet për të ndërtuar një formulë që do të mundësojë rritjen e pensioneve të ulëta me një vlerë më të madhe dhe ngushtimi i hendekut me ata që marrin pensione më të larta. Nga të dhënat e fundit pensioni mesatar vlerësohet në 17.000 lekë që do të thotë se shumë nga ata që marrin një pension nën mesataren mbahen nga fëmijët ose të afërmit.
Të tjerë janë ndoshta në mëshirë të fatit.

Pas reformës së rritjes së pagave, pensionistët u lanë të fundit teksa qeveria deklaroi indeksim për të gjitha kategoritë me vlerën 8.6 për qind.

Në muajin tetor të këtij viti u aplikua masa 8.6%, por e përkthyer në vlerë përfitimi është shumë i vogël për pensionet e ulëta se ato të larta. Përkundrazi çmimet nuk u rritën më pak për ata që marrin një pension më të ulët. Por nëse për pensionet 10 mijë lekë rritja ishte 860 për ata që marrin 40 mijë lekë rritja ishte 3.400 lekë. Kaq mjafton për të kuptuar se indeksimi ishte i padrejtë sepse shkoi sërish në favor të kategorisë që merr më shumë.

Aktualisht skema publike e pensioneve është nën presionin e rritjes së numrit të përfituesve për shkak të bumit të lindjeve në vitet 1970, dhe nga ana tjetër rënies së numrit të kontribuuesve prej rënies së grupmoshave të reja të popullsisë nga rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë.

Përqindja e personave që nuk plotësojnë kriteret për pagesë të plotë po rritet me shpejtësi nga viti në vit. Në qershor 2023, pensionistët me pagesë të pjesshme përbënin 50% të totalit të pensioneve të pleqërisë nga 45% më 2021.

Ndërsa pensionet e reja që u lidhën më 2023 ishin 11% më të ulëta se pensioni mesatar. Pensionet e pleqërisë janë 50% më të ulëta se mesatarja rajonale.

Aktualisht skema është me deficit, pasi kontributet nuk mbulojnë vlerën e pensioneve, për këtë arsye buxheti i shtetit paguan çdo vit rreth 500 milionë euro për ta financuar këtë skemë. Për të rritur numrin e kontribuuesve, ministri tha se shërbejnë edhe ndryshimet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, ku prej vitit që vjen do paguajnë tatim edhe të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime profesionale.

Sakaq, numri i personave që trajtohen me pension pleqërie arriti në 491,504 në 6 mujorin e parë të vitit 2023, gati 23 mijë më shumë se në të njëjtën periudhe të një viti më parë. Që nga fundi i vitit skema u zgjerua më rreth 10 mijë pensionistë të rinj.

Mosha e tretë shumë shpejt do të përbëjë 30 për qind të popullsisë, sikurse do ta ketë po aq të vështirë të ardhmen, për të shpëtuar prej varfërisë.

/Liberale.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com