Rreziqet për këtë Evropë, e kudogjendur por e pavlefshme

Nga Antonio Polito

Për Evropën Trump-i është kthyer në një makth në sirtar. Të gjithë janë të bindur se një fitore e tij në presidencialet e vitit t’ardhëshëm do të ndryshonte rrënjësisht termat e ekuacionit ndërkombëtar.

Zelenski e din se do të humbëte mbështetjen e SHBA, e kështu do të humbiste luftën. Ndërsa Netaniahu e di se do të kishte duar të lira kundër Hamasit, e kështu don të zgjasë luftën. Propagandistët republikanë në Shtetet e Bashkuara thonë se me Trump-in nuk do të kishte më luftëra. E kanë fjalën për luftëra që përfshijnë SHBA, sepse të gjitha të tjerat do të vazhdonin. Madje do të shtohej ndonjë tjetër. Sa herë që Amerika bëhet izolacioniste, bota bëhet më e pështjelluar dhe më luftarake, jo e kundërta. Nga ana tjetër, në këto javë kemi parasysh pasojat ogurzeza të katërvjeçarit të Trump-it mbi Lindjen e Mesme: politikën e Marrëveshjeve të Abramit, të konceptuar për të fshirë çështjen palestineze, e të përfunduar në luftën më gjakatare të ndodhur n’atë zonë.

Pyetja që duhet të bëjmë është se si është e mundur që sot, tridhjetë vite mbas lindjes së Bashkimit Evropian në Maastricht, gjithçka që ndodh në oborrin tonë të shtëpisë varet ende krejtësisht nga rastësitë dhe çuditëritë e  politikës amerikane. Ralf Dahrendorf thonte për paradoks që edhe ne evropianët do të duhej të votonim për Shtëpinë e Bardhë, sepse zgjedhja e presidentit ka më shumë pasoja mbi ne se sa mbi  amerikanët. Dhe ende kështu.

Një rrymë e fundit izolacioniste në ShBA ka qënë gjithmonë, u desh Pearl Harbori para se të dërgoheshin ushtarët të luftonin nazistët. Por këtë herë rreziku është rënduar nga dy faktorë: personaliteti tejet i përveçëm i Donald Trump-it dhe kushtet e jashtzakonëshme të kaosit botëror, me shumë rrëmujë në kërkim të barazpeshave të reja.

Pra, mungesa e qenësisë politike të Evropës së bashkuar – sepse për këtë bëhet fjalë – përbën për ne evropianët rreziqe gjithënjë e më të mëdha. E nuk mund të thuhet se nuk kemi patur kohë për t’u përgatitur. Mario Draghi, mbasi kishte shpëtuar euron dhe fytyrën e Evropës, që ende lëkundej në mëdyshjen se duhej apo jo të mirëpriste Ukrainën të mësyer nga rusët, po thotë prej kohësh: kujdes, kushtet e së shkuarës kanë mbaruar, nuk mund të bëjmë hesap më mbi mbrojtjen ushtarake të amerikanëve, mbi energjinë me çmim t’ulët të rusëve e mbi tregjet kineze për eksportin tonë.

Modeli i mbijetesës  i adoptuar në erën Merkel nuk mund të jetë më i zbatueshëm. Ndërsa kriza e thellë demografike kërkon një hop prodhimtarie e teknologjie që sot nuk jemi në gjëndje të prodhojmë, o bëjmë diçka ose shpejt do të kthehemi n’asgjë.

Por asgjë, asnjë ide, vizion, strategji apo udhëheqje shihet në horizont. Në ujërat e bekuara të përditëshme të bashkimit evropian ka vetëm salltanet e fodullëk, mbledhje të nivelit të lartë solemne, batare konferencash shtypi. Një lumë i tillë imazhesh pa brendi i heq vullnetin për Evropë edhe mbështetësit të saj më të apasjonuar. Problemi nuk është aspak ai në të cilin ndalen partitë kombëtariste, së paku deri sa qëndrojnë në opozitë, pra rreziku i një lëshimi të sovranitetit të Shteteve. Problemi është se kur ai sovranitet i kalon Brukselit avullon. Evropa është e kudondodhur por shpesh e pavlefshme. I ngjan “një fantazme që lëndësohet gjithandej por nuk gjindet asgjëkundi”, shkruante Marcello Pera. Që atëherë diçka dukej e ndryshuar me Covidin. Një fërgëllim nisme të përbashkët e të guximit politik çoi në atë lloj Plani Marshall që qe Next Generation Eu, e mendohej se do të kishte çuar në bashkimin taksor e më pas në një politikë të jashtëme të përbashkët.

Asgjë: jemi ende duke pritur ratifikimin e Mes nga ana e Italisë, ndërsa Franca, Gjermania e Austria mbyllin kur duan kufijtë me Italinë.

Për më tepër: paqëndrueshmëria e Evropës politike rrezikon të bëhet një përligje për të mos lënë Shtetet të kryejnë ato gjëra që do të mundeshin t’i bënin. Për shëmbull bashkëpunimi me një fqinj, siç po provon qeveria Meloni me Shqipërinë mbi emigrantët, duke shkaktuar menjëherë mëritë e “evropianistëve” të brëndshëm sepse nisma është jashtë kufijve të BE. Në Tunizi Evropa ishte, por nuk shkoi aq mirë për shkak të ngadalësive, të burokracive, të polemikave ndërmjet institucioneve evropianë.

E kur shohim Vëndet e Vishegradit të refuzojnë çdo formë solidariteti me ato mesdhetarë, na vjen të themi: më mirë Shqipëria, që ende nuk është n’Evropë, por së paku na sheh nga bregu tjetër i Adriatikut e që na është mike. Sigurisht nuk do të zgjidhë problemet e imigracionit, por së paku ndonjë problem në Lampeduza po.

Një tjetër shëmbull: në konfliktin izraelo-palestinez nuk vlejmë asgjë sepse nuk kemi fuqi ushtarake (a e kujtoni Stalinin që pyeste “sa divizione ka Papa”?). Ushtria evropiane mbetet një ëndërr, edhe se Shtetet e veçanta harxhojnë për mbrojtjen një shumë të përgjithëshme që është e dyta mbas asaj të Shteteve të Bashkuara. E vetmja fuqi ushtarake së bashku me Francën, që do kishte mundur t’i jepte besueshmëri një projekti të tillë, Mbretëria e Bashkuar, iku ndërmjet duartrokitjeve të të ashtuquajturve “evroentuziastë”, të bindur se pa Londrën gjithshka do të kishte shkuar më mirë. E sot Franca dhe Anglia, edhe nëse do të donin, nuk do të mundnin të rimerrnin fijet e një mbrojtjeje të përbashkët në NATO, sepse njëri ndër dy Shtetet është jashtë BE.

Në shumë fusha të tjera, me që Brukseli nuk mundet, nuk don ose nuk arrin të bëjë, askush tjetër nuk e bën.  Megjithatë integrimi evropian ka kryer në kohë mrekulli të mirëqënies e qytetërimit,  dhe ka qënë për kohë të gjata shumë popullor pikërisht sepse i shihej leverdia. Sot jo më. Më 1951, tre të katërtat e shekullit më parë, një burrë, që Evropën e kishte ndërtuar, Alcide De Gasperi, e parashikonte:

“Mund të duket në një farë çasti një mbistrukturë e kotë, ndoshta edhe shtypëse, siç u duk, në disa periudha të historisë së tij Perandoria e Shënjtë romake. Në këta raste brezat e rinj do të shihnin tek ndërtesa evropiane një vegël bezdie dhe shtypjeje. Rreziku i një kthimi mbrapa është i dukshëm”.

Ps: harrova, në pranverë do të votohet për Parlamentin evropian, por për çastin i vetmi interes që ngjall ky votim është për të përcaktuar marrëdhëniet e reja të brëndëshme në qëndrën e djathtë, të shihet kush vdes ndërmjet Aksionit dhe Italisë së Gjallë, e të kuptohet nëse PD do t’a zëvendësojë Schleinin.

“Corriere della Sera”, 11 nëndor 2023  Përktheu Eugjen Merlika

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com