Polemika në COD/ “Apostulli” i Ilir Ikonomit nën syrin kritik të historianëve Xhufi dhe Nika, autori: Unë jam g

Drejt paanshmërisë, larg pasioneve dhe në luftë me subjektivizmin. Kështu e ka përshkruar qasjen e tij në punën për të sjellë librin “Apostulli”, i pari nga tre vëllimet kushtuar biografisë së Fan Nolit, gazetari Ilir Ikonomi, i cili këshilloi studiuesit shqiptarë që të marrin në konsideratë stilin amerikan të të shkruarit të historive dhe t’i lejojnë lexuesit t’i krijojnë vetë gjykimet përballë fakteve që ata mund të servirin.

Autori e bëri këtë përshkrim dhe apel gjatë promovimit të librit në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog, COD, event i organizuar në bashkëpunim me UET PRESS, në të cilin ishin të pranishëm akademikë, studiues, publicistë, por dhe personalitete të politikës, si Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali apo dhe Kryeministri Edi Rama.

Në vëllimin e parë me 430 faqe, Ikonomi përshkruan me ngjyra të gjalla Fan Stilian Nolin në periudhën që fillon me arritjen e tij në SHBA në vitin 1906 dhe mbaron me vitin 1920, kur ai u largua për në Shqipëri. Libri dallon për nga detaji dhe elementët konkretë me të cilët autori ka ndërtuar figurën e Nolit dhe mjedisin ku ai jetonte në Bostonin e fillim shekullit të 20-të. Për këtë ai ka përdorur një fond të gjerë të dhënash historike, që përfshijnë Arkivin Qendror të Shqipërisë, Arkivin Kombëtar Amerikan, Arkivin e Ministrisë së Jashtme Austriake, dhe disa burime të tjera dokumentare.

Pikërisht këmbëngulja për të gërmuar për fakte të reja në arkiva të ndryshme u vlerësua shumë nga ish-Drejtuesja e Arkivit Qendror të Shtetit Shqiptar, Prof. Dr. Nevila Nika, e cila gjatë komentit të saj në promovimin e librit, tregoi se për shumë studiues kjo punë e Zotit Ikonomi mund të shihet edhe me zili. Sipas Prof. Dr. Nikës Ikonomi sjell një pjesë pak të njohur të Nolit dhe me stilin e tij kontribuon në një përshkrim edhe më faktik të kësaj figure të madhe të historisë shqiptare.

“Brezat kanë nevojën ta dinë, që Imzot Noli ishte një klerik, Apostull… Apostull mund ta përdorësh edhe për besimin fetar, por edhe për të thënë se ishte Apostull i shqiptarisë,” – u shpreh Nika, teksa e përgëzoi autorin për punën e kryer.

I pranishëm në promovim, historiani Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, analizoi me vlerësime stilin e autorit për të sjellë biografi të personaliteteve të historisë shqiptare si Esat Pashë Toptani, Faik Konica, apo Ismail Qemali, ndërsa u ndal në dy-tre detaje që sipas tij mund të ishin ndryshe në vëllimin e parë. Sipas Prof. Dr. Xhufit libri sjell detaje interesante dhe pak të njohura të marrëdhënieve ndërshqiptare, por kishte nevojë për një hyrje të ngjeshur për të profiluar kontekstet dhe rrethanat në të cilat u kalibrua figura e Nolit.

Megjithëse pranoi se nuk kishte mundur ta lexonte të gjithë librin, Prof. Dr. Xhufi ishte i mendimit se narrativa e studiuesit mund të përqendrohej më tepër te Noli se sa te ajo se çfarë thonin të tjerët për të apo te elementë si për shembull shpifjet ndaj tij.

“Ju ndiqni jashtëzakonisht në mënyrë besnike të gjithë historikun e shpifjeve se si kanë filluar, si kanë ecur, si janë zhvilluar dhe në fund me dy-tre rreshta e nxjerr që kjo ishte një shpifje. Tani për lexuesin që lexon tre faqe, mendoj se duhej diçka e përmbysur për ecurinë e shpifjes, sigurisht mbase ju vjen keq pasi keni gjetur materiale dhe mundoheni ta reflektoni, por këtu mendoj se është e lejueshme që të bëhej një seleksionim,” – u shpreh në mënyrë kritike Xhufi, sipas të cilit në këtë libër nuk del shumë trajta prej “Apostulli” e Nolit pasi Ikonomi është ndalur shumë në detaje të tilla.

Xhufi dhe Ikonomi njihen me njëri-tjetrin që në vitet ’70-të, pasi ndanin edhe punën në emisione radiofonike. Përveç kësaj në botime të shkuara, si për shembull libri kushtuar figurës së Esat Pashë Toptanit, Prof. Dr. Xhufi ka qenë një nga kritikët e këtij botimi.

Por në përgjigje të komenteve, Ikonomi u shpreh i hapur dhe mirëpritës i kritikave, pasi siç kujtoi ai nuk është një historian dhe nuk merr përsipër të diktojë historinë, por si një gazetar të raportojë për histori të pa treguara më parë.

“Nuk jam njeri i hyrjeve të gjata, i them gjërat shkurt, dua që gjithmonë lexuesi të mendojë për faktet dhe të nxjerrë vetë konkluzionet sepse unë nuk dua ta diktoj mendimin,” – u shpreh Zoti Ikonomi.

“Edhe në librin për Esat Pashën, për të cilin kam marrë shumë kritika, por po ta lexosh me kujdes, unë nuk bëj moralizime, nuk i them njerëzve që unë jam për këtë apo për atë, këto janë faktet që sjell unë, atëherë le të më kritikojnë njerëzit për faktet që mbase nuk i kam sjellë të plota, por unë nuk i them lexuesve se çfarë të mendojnë,” – theksoi më tej autori i librit.

Ikonomi u lind në Pogradec më 1 shtator 1954. Ai u rrit në Berat dhe Tiranë teksa më pas ndoqi studimet e larta në Pekin. Me kthimin në Shqipëri vijoi punën si gazetar dhe përkthyes. Pas rrëzimit të diktaturës bashkëpunoi me agjenci ndërkombëtare të lajmeve e më tej vijoi punën si gazetar i Zërit të Amerikës në Uashington të SHBA-ve.

Pikërisht periudha prej më shumë se tridhjetë vitesh e jetës dhe punës në SHBA duket të ketë ndikuar te formimi dhe stili i të shkruarit i Ikonomit.

Këtë ndikim ai e përmendi dhe vetë gjatë promovimit të librit “Apostulli” në COD, ndërsa apeloi për shkruesit shqiptarë tëhistorisë që të jenë më të hapur drejt një stili më objektiv, pse jo të ngjashëm apo të njëjtë me stilin amerikan.

“Në Shqipëri ky lloj stili nuk aplikohet shumë, por unë do t’i inkurajoja ata që shkruajnë histori në Shqipëri që të jenë më të pa anshëm, të larguar nga pasionet […] Unë bëj një luftë me veten time, me subjektivizmin, dhe këtë besoj se duhet ta bëj gjithkush, luftoj shumë me veten time, them e thashë këtë fakt, por mos po e dëmtoj këtë personazh a mos duhet të them edhe një fakt tjetër të anës tjetër dhe si të thuash i balancoj,” – u shpreh Ikonomi, i cili theksoi se në shpirt mbetet gazetar pavarësisht përpjekjeve të suksesshme në publicistikë në rrafshin e biografive të personazheve historike.

Gjatë promovimit të librit Ikonomi tregoi se nga gjithë puna e tij ka hasur vështirësinë më të madhe në qasjen e arkivave të Kishës Orthodokse Ruse, e cila në mënyrë të pashpjegueshme i ka mohuar atij hyrjen. Sipas Ikonomit kjo arkiv ka shumë letër-këmbime interesante të Nolit, të cilat mund t’i jepnin më shumë dritë personalitetit të tij.

Në librin “Apostulli” lexuesit që kanë dëshirë për të zbuluar të shkuarën, do të gjejnë Fan Nolin e vërtetë, me talentet dhe entuziazmin për të nisur punë të mëdha, por edhe me egon dhe shpërthimet e tij të papritura. Libri, i cili do të jetë i pranishëm në panairin që 26-të që nis më 15 nëntor, është i pajisur me shënime të hollësishme në fund të faqeve dhe me një tregues emrash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com