Rama: Marrëveshja me Italinë nuk është çështje interesash

Edi Rama ka vijuar të sqarojë opinionin publik italian lidhur me marrëveshjen e nënshkruar të hënën me homologen Meloni për azilkërkuesit afrikano-veriorë.

Në një lidhje Sky nga Parisi, Rama për Rete 4 thotë se është keqkuptuar deklarata e kryeministres italiane pasi në qendrën pritëse të Gjadrit do të mirëpriten dhe burra dhe gra, por përjashtohen fëmijët dhe gratë shtatzëna që do të qëndrojnë në Itali në pritje të përgjigjes së kërkesës së azilit.

“Kjo nuk është e vërtetë. Kryeministrja Meloni foli për minorenë dhe gra shtatzëna, vetëm kjo kategori nuk do të udhëtojë drejt vendit tonë. Është shumë e rëndësishme ta sqarojmë se dhe në Shqipëri është keqkuptuar”, tha Rama.

Mbi modalitet e marrëveshjes ku parashikohen kushtet siguron se ekspertët e të dy shteteve kanë qenë shumë të kujdesshëm, ndaj i cilëson të papranueshme deklaratat se po krijohet një Guantanamo në Shqipëri.

Kjo pastaj është vërtetë shumë e rëndë. Pastaj kampe të tilla ka kudo në Europë, ka në Greqi për shembull që është vend i BE dhe askush s’ka lëshuar alarmin se atje ka një Guantanamo. Mbase nuk janë hotel në breg të detit, por gjithsesi ne nuk duam të bëjmë diçka që nuk respekton dinjitetin e këtyre personave përkundrazi ngaqë ne duam pikërisht të respektojmë dinjitetin e tyre kemi qenë shumë të kujdesesh me numrin, me procedurat“.

Po kaq i ofenduar thotë se ndihet dhe nga ata që e shikojnë si marrëveshje: Më jep, të jap.

“Kur dëgjoj që Rama i hapi derën afrikanëve të Melonit për të hyrë më shpejt në BE, më fal, por këta që flasin kështu s’e kanë idenë as sesi mund të trokasësh në Europë jo më të hyjnë. Të hysh në BE është një rrugëtim shumë i ndryshëm nga ai që përfytyrojnë këta që flasin kështu. Nuk hyn fare, por në një bote ku vlen vetëm interesi dhe paraja askush nuk mund ta imagjinojë që mund të bëhet një marrëveshje vetëm për të nderuar miqtë dhe vetveten”, tha Rama.

Komenton dhe njëherë deklaratat e sivllezërve socialistë italianë që janë pozicionuar kundër kësaj marëveshje.

E duke e vendosur shenjën e barazimit mes qëndrimit të së majtës italiane me atë të së djathtës shqiptare për këtë çështje, Rama kërkon që në të dy vendet mos përdoren bindjet politike për ta vlerësuar, por të shihet objektivisht si një zgjidhje e drejtë siç ai pretendon se është.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com