Qeveria u ofron punëtorëve të veshjeve rritje të pagave me 56.25%, sindikatat: Rritje qesharake

Kryeministrja e Bangladeshit Sheikh Hasina ka përjashtuar çdo rritje të mëtejshme të pagës minimale për punëtorët e veshjeve, të cilët kanë qenë në grevë për më shumë se dhjetë ditë duke kërkuar pothuajse një trefishim të pagave të tyre.

“Unë do t’u thosha punëtorëve të tekstilit që të punojnë dhe të kënaqen me këtë rritje të pagave, të vazhdojnë të punojnë”, tha Hasina gjatë një takimi të partisë së saj të enjten vonë në mbrëmje.

Të martën, komiteti i pagës minimale të sektorit të tekstilit njoftoi një rritje prej 56.25% në pagën bazë mujore të katër milionë punëtorëve të sektorit në 12,500 taka (104 euro) , por sindikatat e quajtën shumën “qesharake” dhe e hodhën poshtë propozimin.

Punëtorët e veshjeve kërkojnë pothuajse një trefishim të pagës së tyre, e cila tani është 8,300 taka (70 euro), në 23,000 taka (190 euro).

“Nëse ata dalin në rrugë për të protestuar nën nxitjen e dikujt, ata do të humbasin punën e tyre dhe do të duhet të kthehen në fshatrat e tyre,” paralajmëroi kryeministri i Bangladeshit.

Sipas sindikatave, punëtorët e veshjeve janë goditur rëndë nga inflacioni, i cili arriti gati 10 për qind në tetor, ndërsa monedha vendase e Bangladeshit, taka, është nënçmuar me rreth 30 për qind kundrejt dollarit amerikan që nga fillimi i vitit të kaluar.

Por Hasina thotë se rritja e propozuar për punëtorët e veshjeve është shumë më e lartë se rreth 5 përqind që morën nëpunësit civilë.

Por sindikatat thonë se rritja e pagave që iu ofrua këtë javë nuk është e mjaftueshme përballë rritjes së çmimeve të ushqimeve, qirave dhe kostove të shëndetësisë dhe arsimit.

Sipas policisë, të paktën tre punëtorë janë vrarë që nga fillimi i protestave dhe gjashtë policë janë plagosur, ndërsa më shumë se 70 industri janë plaçkitur.

Bangladeshi është eksportuesi i dytë më i madh i veshjeve në botë pas Kinës.

3500 industritë e veshjeve në vend, në të cilat punojnë kryesisht gratë, gjenerojnë 85% të të ardhurave vjetore të vendit nga eksporti prej 51 miliardë euro. Këto fabrika furnizojnë rroba për kompanitë globale si Zara, Levi’s dhe H&M.

“Nëse mbyllen këto industri, nëse prishet prodhimi, nëse pengohen eksportet ku do të shkojnë punët e tyre? Duhet ta kuptojnë”, tha Hasina./Liberale.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com