Paralajmërimi i Berishës për protesta të mëdha, ambasadori gjerman: Me këtë rrugë, gjërat nuk do të shkojnë mirë

Nga qyteti i Korçës, ambasadori i Gjermanisë në Shqipërisë, Karl Bergner, ka komentuar ngjarjet më të fundit politike në vend, si marrëveshja e Ramës me Melonin për refugjatët, apo rebelimin e opozitës me tymuese dhe kaos parlamentar.

Në lidhje me marrëveshjen për refugjatët mes Shqipërisë dhe Italisë, ai tha se të dyja vendet kanë bërë çmos për të respektuar rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Mendoj se konsultimet po vazhdojnë. Ne kemi marrë dokumentet dhe memorandumin e mirëkuptimit pak ditë më parë dhe është pak herët për të dhënë komentet dhe mendimet e mia në lidhje me detajet. Por e di shumë mirë që si Shqipëria po ashtu dhe Italia kanë bërë çmos për të respektuar rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Në lidhje me protestat e deputetëve të Rithemelimit dhe paralizimin e veprimtarisë parlamentare, ambasadori u shpreh se do të donte një opozitë më të bashkuar.

“Sinqerisht do të shpresoja të shihja shumë shpejt opozita më të bashkuara që të luajnë rolin e tyre si kontrollues të qeverisë në një mënyrë më të mirë. Mendoj se edhe qeveria mund të ndihmojë në respektimin e të drejtave, gjithashtu të ketë një balancim mes të drejtave të opozitës dhe të qeverisë”, tha Bergner.

I pyetur nga gazetarët për paralajmërimet e ish-kryeministrit Sali Berisha për organizmin e protestave, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë theksoi se me këtë rrugë gjërat nuk do të shkojnë mirë për Shqipërinë dhe duhen ofruar propozime.

“Mendoj se nëse gjërat çohen deri në protestë nuk do të shkojë mirë pasi gjithë përpjekjet duhet të shkojnë në formulimin e rregullave për qeverisjen. Mendoj se duhet të bëjnë përpjekje për të ofruar propozimet e tyre. Deri më tani shoh më shumë energji duke penguar parlamentin. Por mendoj se ka mënyra të tjera më të drejta për të kundërshtuar diçka që është zgjedhur nga qeverisja”, tha Bergner.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com