Raphael Dwamena, një tragjedi e paralajmëruar! Flasin mjekët e Kavajës. Ngjarja jehonë ndërkombëtare, e kaluara e futboll

Raphael Dwamena sulmuesi i Egnatias, humbi jetën tragjikisht pas një kolapsi që pësoi në sfidën përballë Partizanit.

Mjekët e Spitalit të Kavajës thotë se futbollisti ganez i skuadrës së Egnatias, Dwamena, që humbi jetën në fushën e lojës, shkoi pa parametra jetësorë në spital.

Edhe pse bluzat e bardha i dhanë të gjithë ndihmën e nevojshme sipas protokolleve mjekësore, sipas mjekëve, futbollisti ishte i pashpresë.

“Nuk kishte aktivitet kardiak. Ka ardhur rreth orës 14:10. E dinim që do na vinte rasti, e ngritëm gjithë personelin në këmbë, me kardiologë e me të gjitha. U bë reanimimi kardiopulmonar dhe nuk u arrit. Nuk kishte më shpresa, ishte i pashpresë. Ne këtu i kemi bërë të gjitha, reanimim, frymëmarrjen, masazh kardiak sipas protokollit, respektuam protokollin mjekësor që bëhet në këto raste.”

“Shkakun ne nuk e dimë, sipas të dhënave i ka ndodhur në fushë duke qenë në fushën e futbollit dhe i ka bërë gjendje të fikëti atje. Fjalën e fundit e thotë mjekësia ligjore. Për mendimin tim, ndihma e duhur i është dhënë që në vendin e ngjarjes që ka ndodhur, sepse edhe minutazhi ka qenë shumë i shpejtë. Ka ardhur në kohë rekord. Kur ka ardhur ka qenë pa parametra jetësorë”, thanë mjekët e Spitalit të Kavajës në një deklaratë për gazetarët.

Ganezi në vitin 2017 ishte transferuar te Brighton për plot 12 milionë nga skuadra Zurich, por në testet mjekësore kishte dështuar.

Nga mjekët anglezë në atë kohë i ishte rekomanduar ta linte futbollin, por ai vendosi të bënte të kundërtën.

Pas Brighton, në të gjitha skuadrat ku u paraqit, ngaqë kishte probleme me zemrën, të gjitha klubet nuk e pranuan.

Edhe në vendin tonë teksa firmosi për Egnatian, duket se rrezikun e mori përsipër vetë lojtari përmes një klauzole.

Lajm tronditës ka bërë jehonë edhe në vendet e tjera ku ai ka luajtur. Blick, gazeta zvicerane pasqyron ngjarjen tragjike. Kjo për arsyen se Raphael Dwamena ka luajtur për FC Zurich në Zvicër nga viti 2017 deri në vitin 2018.

“Vdekja ndodhi në rrethana tragjike. Sulmuesi, i cili luante për KF Egnatia, u rrëzua pa ndjenja gjatë ndeshjes. Lojtarët e të dyja skuadrave i dhanë ndihmën e parë, dhe pak kohë më vonë Dwamena u transportua në një spital aty pranë. Pak orë më vonë erdhi lajmi se ish-sulmuesi nuk i kishte mbijetuar incidentit” shkruan Blick.

Dwamena vuante nga problemet e zemrës, prandaj ganezit i vendosën një defibrilator në vitin 2020. Në vitin 2021, sulmuesi gjithashtu u rrëzua në fushë në një ndeshje të Kupës së Austrisë midis klubit të tij të atëhershëm Blau-Weiss Linz dhe Hartberg. Ishte një tragjedi e paralajmëruar.

Lidhur me ngjarjen janë shtyrë të gjitha ndeshjet e kampionatit tonë. Lojtari ganez ka pasur një karrierë të shkëlqyer para se të mbërrinte në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com