Opozita bllokon sallën me karrige, Berisha: Çdo skenar do të shihni sot!

Opozita ka bllukuar punimet në Kuvend duke vendosur karrige para foltores. Ish kryeministri Sali Berisha shprehet se ditën e sotme, qytetarët do të shohin çdo skenar të asaj që ai e quan “betejë parlamentare”.

Gjatë fjalës së tij në një prononcim për mediat, në oborrin e Kuvendit, kryetari i PD-së Berisha thotë se Parlamenti nuk funksionon i rrethuar me njësi speciale duke iu referuar forcave të shumta që e rrethojnë atë pas paralajmërimit të opozitës se sot nuk do të zhvillohet një seancë plenare normale.

“Opozitë të vërtetë dhe jo një opozitë që kryetarin e saj ta caktojë Edi Rama. Kjo nuk mund të ndodhë. Çdo skenar, ju do të shihni sot. Sot do të jetë një ditë… Ja si është i rrethuar në të gjithë anët. Po përgatiten që të drekojnë këtu këto. Edhe greva e urisë do të vijë. Do të përzgjidhet dhe ju do ta merrni vesh ndër të parët. Ne besojmë se Parlamenti nuk funksionon i rrethuar me njësi speciale dhe të tjera” tha Berisha.

Një ditë më parë, po ashtu kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se “për sa kohë nuk lejohet funksionimi i opozitës, nuk do të ketë veprimtari normale të jetës parlamentare”.

Në pikat e rendit është parashikuar që në nisje një interpelancë e ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi e kërkuar nga deputeti socialist Nasip Naço, por mbetet për t’u parë nëse do të ketë zhvillim normal të seancës plenare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com