Ja si joshen shqiptarët për t’u deklaruar bullgarë!

Greqia dhe Bullgaria kërcënuan vendin me bllokimin e procesit të integrimit europian.

Këto kërcënime i vunë një njollë të zezë edhe këtij procesi që do të duhej të ishte i bazuar te plotësimi i kushteve të anëtarësimit, e jo egos së vendeve fqinjë për përfituar në kurriz të Shqipërisë.
“Janë njohur në Shqipëri nga Lidhja e Kombeve, e cila dërgoi edhe një komision hetimor për të verifikuar gjendje e minoriteteve por edhe të probleme të tjera të funksionimit të shtetit shqiptar, minoriteti grek, minoriteti bullgar në zonën e Prespës dhe minoriteti sllav në Vrag të Shkodrës”- u shpreh historiani, Beqir Meta teksa Inside Story në Top Channel trajtoi minoritetet në vendin tonë në një kohë kur po mbahet edhe censusi.

Në veri, në zonën e Gorës, por edhe në Gollobordë e Pustec, përmes formave të ndryshme Bullgaria ushtron trysni ndaj qytetarëve duke ju kërkuar të deklarohen me origjinë bullgare. Filimisht, planet për rritjen fiktive të minoritetit kishin skenar kërcënimet ndaj Tiranës zyrtare me kartën e integrimit.
Sot, ndiqet një strategji e re duke shpërndarë pasaporta bullgare për qytetarët shqiptarë, një dokument që sjell përfitime si vend anëtar i bllokut europian. Inside Story ka siguruar pasaportën e një fëmije të mitur.
Pasaporta është e vetmja mënyrë për të hapur dyert e Europës për goranët, popull shqiptar që flet dy gjuhë.
“Zona e Gorës dhe Gollobordës që janë popullsi shqiptare por që flasin edhe gjuhë të tjera apo Himara ku flitet shqip dhe greqisht”- u shpreh historiani, Beqir Meta.

Për shkak të nivelit të jetesës, mungesës së infrastrukturës, 9 fshatrat ku jetojnë Goranët në Kukës janë lënë në mëshirë të fatit, pa valë telefoni, pa internet, pa rrugë.

E vetmja mundësi e tyre është Kosova, së cilës i drejtohen për ndihmë mjekësore e prej saj arrijnë të marrin internetin të cilin e përdorin për të komunikuar me fëmijët që kanë emigruar.
Rruga nga Kukësi në Zapod, gjarpëron mes maleve në një terren të vështirë, e pa shtruar e në mungesë të plotë mirëmbajtjeje. Në skaj të saj janë të dukshme hidrocentralet, plot 7 të tilla, prej të cilave banorët thonë se nuk kanë përfituar asgjë. Sa më shumë i afrohesh fshatit të parë, Orgjostit, aq më e qartë bëhet pasqyra e një zone të harruar.

Pakishti, është pjesë e këtyre fshatrave ku jetojnë goranët, të cilët ndër breza kanë dalluar si njerëz të arsimuar e punëtorë, janë integruar në komunitet por kanë ruajtur gjuhën vetëm në të folur dhe traditat e tyre. Në këtë fshat ka vetëm të moshuar. Ata jetojnë të vetmuar pas largimit të fëmijëve në emigracion.
“Në zonën e Gorës të gjithë që kanë aplikuar janë pajisur me pasaportë”, u shpreh banori, Mevlut Hoxha.
Goranët pohojnë për Inside Story se të paktën 5 breza kanë lindur e janë rritur në këtë vend, i kanë shërbyer Shqipërisë e për këtë ata deklarohen shqiptarë.
“4-5 breza në tokën shqiptare, ne jemi autoktonë, jemi shqiptarë, fakti jam shtetas shqiptarë. i jam përgjigjur shtetit shqiptar dhe do ti përgjigjem.. ma jep të drejtën Kushtetuta të mbaj dyshtetësi, janë ministra deputetë mbajnë nga dy pasaporta e të mos mbajnë fëmijët tanë nga dy pasaporta”, u shpreh banori, Mevlut Hoxha.
Mbi 60% e fshatit janë pajisur me pasaportë bullgare, e një pjesë janë në pritje. Kryesisht, shkaqet ekonomike janë arsyeja kryesore e aplikimit dhe pajisjes së tyre me pasaporta bullgare.
Ky është dokumenti që merret pas aplikimit dhe me të cilin tërhiqet pasaporta bullgare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com