Media greke: Laert Haxhiu pretendon se Albo Bare ka ofruar 1 milion euro për ta vrarë

Laert Haxhiu është transferuar nga burgu i Janinës në burgun e Koridhalos. Këtë fakt e ka bërë me dije gazetari i njohur grek, Vasilis Xito në një artikull publikuar këtë të shtunë në “Esspresonews” kushtuar të shumëkërkuarit nga Lushnja.

Veç fakteve të njohura për publikun shqiptar, si krimet për të cilat akuzohet Haxhiu dhe mënyra e kapjes së tij, gazetari grek hedh dritë edhe mbi disa rrethana të reja. Në artikull thuhet se arsyeja e transferimit në burgun e Koridhalos është fakti se Laert Haxhiu pretendon se rivali i tij, Aldo Bare ka ofruar shumën prej 1 milionë eurosh për ta vrarë.

Nuk dihet nëse diçka e tillë është e vërtetë apo Laert Haxhiu e përdor si mënyrë për t’i shpëtuar ekstradimit drejt vendit tonë. Gjithashtu, në shkrimin e gazetarit grek përmendet edhe rrëfimi i të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, i cili dëshmoi se Haxhiu ka organizuar katër vrasje në vendin e tij gjatë viteve 2021-2023.

“Në Burgjet e Janinës ra kambana për 32-vjeçarin Laert, dhe më pas është transferuar në Koridhalos. Ai ka njoftuar zyrtarisht organet e drejtësisë greke se Aldo Bare po paguan gjithçka për ta vrarë, ndërsa nuk ngurron të përmendë se mes tyre ka një hakmarrje që pikon plumba, gjak dhe urrejtje të pashuar.

Shqiptari ndodhet nën statusin e mbrojtjes, ndërsa ka fatura të hapura me organet greke, pasi emri i tij është i përfshirë në dy vrasje të bashkatdhetarëve të tij, të kryera në afërsi të sheshit Karaiskaki. Hetimi për këto “kontrata” është edhe arsyeja pse ai nuk është ekstraduar në Shqipëri, ndonëse është arrestuar që në majin e kaluar, duke u ndjekur me “identitet grek” në Janinë.

Mafiozi Aldo Bare ofron shumën e tepruar prej 1.000.000 eurosh për “kokën” e shqiptarit, pasi Laert Haxhiu në qytetin e tyre, Lushnje, në Shqipërinë qendrore, në vitin 2017 vrau dy nipat e tij në një kafene”, thuhet në artikull.

Laerti u kap më 22 maj të këtij viti në zonën e Eleuzës së Janinës, për të cilin ishte dhënë alarmi i kuq nga Interpoli. Ndërsa Aldo Bare u arrestua në mars 2006 në Ankara, Turqi dhe u ekstradua në Shqipëri në nëntor 2009 . Ai ishte në arrati për më shumë se një dekadë dhe akuzohet për kryerjen e disa krimeve.

“Prokurorët e Zyrës së Krimeve të Rënda Tiranë e akuzuan Aldo Baren për pesë akuza për vrasje, organizim të organizatës kriminale, shkatërrim prone (bomba), përdhosje varresh dhe trafik ndërkombëtar droge. Banda e tij ishte e uritur për hakmarrje dhe ishte bërë frika dhe tmerrin e Lushnjes në 1997. Madje në vitin 1997 ai u akuzua se i preu kokën njërit prej kundërshtarëve të tij, Artur Dajës dhe “parakalonte” duke mbajtur kokën nëpër qytet, ndërsa luante me topin me kokat e armiqve të tjerë”, thuhet më tej në artikull.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *