Mbi 10 mijë persona mblidhen në sheshin e blinduar për t’i dhënë lamtumirën Giulia-s, vajzës që “shkundi&#82

Sot i jepet lamtumira vajzës që ngriti në këmbë Italinë dhe riktheu më shumë se kurrë vëmendjen ndaj feminicidit, dhunimit dhe vrasjes së grave. Giulia Cecchettin, një studente 22-vjeçare, u vra nga ish i dashuri Filippo Turetta, pas një darke mes tyre. Prej një jave ata rezultuan të zhdukur, dhe më vonë u zbulua trupi i pajetë i vajzës si dhe u kap në Gjermani autori i dyshuar i krimit, i cili aktualisht ndodhe në burg në Itali dhe e ka pranuar krimin.

Funerali i të resë do të kremtohet sot në Padova në Bazilikën e Santa Giustina. Ora e nisjes së varrimit është në orën 11, por që në orët e para të mëngjesit dhjetëra persona janë nisur drejt sheshit të blinduar. Në ceremoni do të jenë të pranishëm babai, motra dhe e gjithë familja e tij. Ata që nuk mund të hyjnë në kishë do të mund ta ndjekin varrimin nga dy ekranet e mëdha jashtë.

Është paralajmëruar edhe prezenca e presidentit të Venetos, Luca Zaia, i cili shpalli zi në të gjithë Rajonin, dhe i kryebashkiakut Giordani, por flitet edhe për një ardhje të mundshme të kryeministres Giorgia Meloni apo edhe të Presidentit të Republikës Sergio Mattarella.

Duke folur para shtëpisë së familjes në Vigonovo, Gino Cechettin, babai i Giulia-s, konfirmoi datën dhe orën e varrimit, duke shtuar: “Unë jam duke përgatitur një mesazh të shkruar që do ta lexoj atë ditë. Nuk jam mirë me fjalët, më pyesni për elektronikën… por po përpiqem t’i them gjërat sa më mirë që të mundem.”

Pezullohet mësimi në Universitetin e Padovës 

Mësimet janë pezulluar sot në Universitetin e Padovës me rastin e funeralit të Giulia Cechettin, e cila ishte një studente e diplomuar në inxhinieri biomjekësore në Universitetin Bo. Në shenjë zie, rektorja Daniela Mapelli ka urdhëruar ndërprerjen e mësimit deri në orën 14 dhe vendosjen e flamujve në gjysmështizë gjatë gjithë ditës. Mapelli do të marrë pjesë në ceremoninë mortore me një delegacion nga Universiteti.

Ekrane të mëdhenj dhe shesh të blinduar për turmën 

Padova është organizuar sa më mirë që të jetë e mundur për të mirëpritur mbi 10 mijë njerëz që priten për funeralin e Giulia Cecchettin. Jashtë Bazilikës së Santa Giustina ka dy ekrane të mëdhenj për të lejuar të gjithë të marrin pjesë në funeral.

Qasja në bazilikën do të lejohet nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 10:45, me 1,150 vende, një pjesë e madhe e zënë nga ata që kanë pasur një ftesë nga familja ose përfaqësojnë autoritetet. Pjesa tjetër do të jetë e disponueshme për këdo që dëshiron t’i thotë lamtumirën e fundit vajzës.

Prefektura dhe administrata bashkiake kanë hartuar një plan rrugor që do t’u mundësojë të gjithë atyre që dëshirojnë të marrin pjesë të arrijnë në Prato della Valle. Për këtë arsye, janë planifikuar mbyllje të përkohshme të disa rrugëve rreth sheshit të madh me pamje nga Santa Giustina.

Filippo Turetta mund ta shohë funeralin e Giulia Cecchettin në TV

Filippo Turetta, teorikisht, mund të jetë në mesin e mijëra njerëzve që do të marrin pjesë në funeralin e Giulia-s përmes transmetimit në TV. I mbyllur që nga 25 nëntori në burgun Montorio (Verona), Turetta gëzon të njëjtat të drejta si të gjithë të burgosurit e tjerë dhe për këtë arsye mund të lexojë dhe të shikojë TV. Ai ndodhet në një qeli me një të burgosur tjetër, një burrë 50- 60 vjeç./Liberale.al

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *