Lufta kundër kultivimit të kanabisit, ministri Balla nga Vlora “kritika” policisë: Mos u merrni me çatitë pa leje të fshatit, por…

Në ditët që vijnë do të nisin kontrollet e para nga ajri, përmes fluturimeve të dronëve, për të monitoruar territorin e goditur tentativat për kultivim kanabisi dhe ndërtimet pa leje, kryesisht këto të fundit në zonat bregdetare. Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi takimin e parë sot në zonën e Lumit të Vlorës, në kuadër të një turi që do të shtrihet në gjithë vendin, me fokus zonat e konsideruara si të nxehta. Në takimin ndërgjegjësues morën pjesë Prefekti i Vlorës Vangjel Tavo, drejtues të njësive vendore Vlorë, Himarë e Selenicë, kryepleq e drejtues të Policisë së Shtetit.

“Fotografimet dhe pamjet e dromëve do t’i përdorim, qoftë në luftën kundër kultivimit të kanabisit, por për fat të mirë do t’i përdorim edhe kundër ndërtimeve pa leje. Për të dhënë një përgjigje përfundimtare ndaj gjithkujt që ende nuk ka vënë mend, se nuk mund të ndërtohet më pa leje. E këtu nuk po flas për riparimet e çative që të jem i qartë ia kam bërë me dije drejtorëve të drejtorive vendore të Policisë dhe po ia përsëris, qeveria i ka marrë masat dhe i ka lehtësuar procedurat maksimalisht kur një familje do të riparojë një çati dhe SPZ nuk ka nevojë më të merren me këtë punë. Mjaft më me historitë e çative të fshatit, merruni me kultivimin e kanabisit, merruni me ndërtimet pa leje në bregdet. Mos u merrni as me stane as me muret rrethuese të shtëpive. Këta këtu, dinë t’i qajnë muret rrethuese. I bëjnë me gurë, i bëjnë pa çimento, i bëjnë pa beton”, ishte mesazhi i fortë i Ballës.

Ministri shtoi se fotografimi që do të bëhet nga ajri në mënyrë të vazhdueshme përmes edhe mjeteve ajrore të GdF edhe dronëve ‘Bajraktar’ nxjerr zbuluar gjithkënd.

Më tej, Balla tha se Prefekti Tavo, në krye të Komitetit Vendor të Sigurisë Publike do të mbledhë në mënyrë periodike të gjithë drejtuesit e institucioneve.

“Zgjodha qarkun e Vlorës ku së bashku me Prefektin dhe mikun tim të vjetër Vangjel Tavo të ishim sot këtu në bashkinë Himarë, së bashku me kryetaren e bashkisë, së bashku me kryetaret e bashkisë Vlorë dhe Selenicë dhe natyrisht me të gjithë drejtuesit e DVP po dhe po ashtu me miqtë dhe partnerët tanë të GdF, edhe për një arsye që lidhet me faktin që Kuvendi i Shqipërisë sapo ka miratuar ndryshimet në ligjin për Prefektin. Ligji i ri ka shtuar kompetencat e Prefektit duke i dhënë në fakt qëllimin që ka pasur në vetvete, krijimi i këtij institucioni. Prefekti është përfaqësuesi i KM në dhe i Qeverisë në territor dhe si i tillë sikurse KM drejton Këshillin e Ministrave, Prefekti drejton të gjitha Task Forcat, grupet e punës në të gjitha sfidat ku nevojitet koordinimi mes të gjitha agjencive shtetërore dhe ligjzbatuese ne përballjen me fenomenet sikurse është kultivimi dhe këtu jemi për sa i përket Task Forcës antikanabis”, nënvizoi kreu i Ministrisë së Brendshme në takim.

Viti 2023 konsiderohet një vit suksesi sa i përket luftës sonë kundër fenomenit të kultivimit të kanabisit.

“Falë angazhimit të Policisë së Shtetit janë shkatërruar gjate vitit 2023 plot 300 mijë bimë kanabis dhe këtu nuk po fus pastaj fara e gjithçka tjetër dhe nëse gjatë vitit 2023 i dhamë një goditje të fortë, viti 2024 duhet të shënoj heqjen nga lista e halleve dhe probleme të Shqipërisë të këtij fenomeni. Pse e them këtë? Sepse gjatë këtij viti do të kemi mundësinë që përveç gjithë forcave që kemi angazhuar periodikisht dhe sistematikisht gjatë çdo viti duke falënderuar ekspertizën e vyer, por dhe monitorimin e pazëvendësueshëm nga ajri të forcës ajrore të GdF, të cilët kanë bërë më shumë se një mijë operacione këtë vit do të përdorim edhe kapacitetet e shtuara të forcave tona të armatosura që lidhen me përdorimin e dronëve ‘Bajraktar’”, deklaroi ministri./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com