Nga Isuf Kalo (1942-2023)
Mjekët e Klinikës Speciale ishin veçanërisht të kërkuar dhe më të preferuar nga nënotë dhe më rrallë nga baballarët e moshuar që banonin në Bllok së bashku me djemtë e tyre tashmë funksionarë të lartë. Në këtë vështrim, Blloku dukej edhe si një pensionat ose si ambient geriatrik.
Veçanërisht kur djemtë dhe gratë e udhëheqësve, si edhe fëmijët e rritur të tyre iknin në punë dhe në shkolla, nënotë ndiheshin zonja shtëpie dhe thërrisnin më shpesh për vizita mjekësore. Në vitet e parë kur isha mjek shumë i ri, disa prej tyre i kam vizituar dhe mjekuar edhe unë.
Por një kolegu ynë ishte më i suksesshëm dhe më i preferuar prej tyre, sepse përveç muhabetit të gjatë e të ëmbël dhe komplimenteve që u bënte, të moshuarat i ngopte me vitamina e barna gjithfarësh, me “gjilpëra për fuqi” deri dhe serume me glukozë “për të ushqyer e shtrirë lëkurën”, madje dhe për t’i rinuar sadopak.
Nga ana tjetër, belaja ishte se devocioni ynë ndaj “nënove vjehrra” nuk ishte gjithmonë i mirëpritur nga disa prej nuseve të djemve udhëheqës. Raportet e njohura nuse-vjehërr nuk ishin krejt ndryshe as në Bllok.
Në një rast që unë konstatova shfaqjen e ikterit (zverdhjes së sklerave të syrit) te njëra nga të moshuarat, bashkë me kolegët e mi dyshuam për ndonjë tumor kanceroz që shtyp kanalin e tëmthit, por nuk përjashtuam as mundësinë e një infeksioni viral. Asokohe nuk dispononim aparat ekografie ose skaneri, prandaj së pari e mjekuam intensivisht si infeksion me antibiotikun rifocinë, i cili në rast se do të jepte efekt e rrëzonte indirekt diagnozën tumorale.
Bëmë injektimin intravenoz brenda në serum disa herë në ditë. Rifocina kishte ngjyrë të kuqe dhe e ngjyroste në të kuq të gjithë serumin. Pas disa ditësh, ndryshe nga diagnoza fatale që u hamendësua, e moshuara u bë mirë. Zverdhja u pakësua dhe po kështu u ul temperatura.
Por Nënoja nuk donte t’ia ndërprisnim kurën. “Atë të kuqen, mor bir, mos ma hiqni, se vetëm ajo më bën mirë!”, na u lut ajo. Por e zonja e shtëpisë, ndoshta e mërzitur edhe nga ecejaket e shumta të farefisit të së sëmurës, pyeti me ironi: “Akoma do të vazhdoni ju me serume?”.
Pastaj ajo me gjysmë sarkazme vazhdoi: “Ju lumtë që qenkeni kaq të zotë me plakat. Por a do të bëni dot vallë të njëjta mrekulli edhe me bijtë e tyre!?”. Në fakt nuk e tha keq. Të tilla mrekulli për fat të keq ne jo gjithmonë arrinim t’i bënim. Kjo, pavarësisht dëshirës sonë të mirë.
E moshuara më e çuditshme dhe më misterioze brenda Bllokut të udhëheqësve tanë ishte një grua e huaj vetmitare, beqare, me origjinë çeke e me shtetësi polake, e cila jetoi rreth 50 vite brenda Bllokut dhe vdiq po aty në moshën 85-vjeçare. Quhej Maria Saas, por më pas thirrej edhe Maria Saas Shehu.
Ajo pati punuar pak kohë te një familje shqiptare me mbiemrin Libohova, derisa në vitin 1958 një ditë si papritur (sepse askush nuk e di se si, pse dhe kush e rekomandoi apo e ndihmoi) ajo do të hynte në familjen e Mehmet Shehut me detyrën e dados së tre djemve të tij. Prej andej do të dilte pas gati gjysmë shekulli e vdekur.
Misteri i hyrjes dhe i pranimit në familjen e Mehmet Shehut në zemër të Bllokut të kësaj gruaje të re të huaj me origjinë, me biografi personale dhe me të kaluar krejt të panjohur, nuk është sqaruar dhe as hulumtuar thellësisht ndonjëherë. Madje as edhe atëherë kur shumë vite më vonë Mehmeti, fill pas vetëvrasjes, do të akuzohej si “agjent polivalent i KGB- së sovjetike dhe i CIA-s amerikane dhe armik i Shqipërisë”.
Çudinë e shtonte fakti që në vitin 1954, pra katër vite përpara kësaj ngjarjeje, Mehmeti pasi pati qenë shumë vite ministër i Brendshëm, ishte ngritur në detyrë në postin e Kryeministrit të Shqipërisë. Këtë post bashkë me disa poste të tjerë të lartë, atë të Sekretarit të Parë të Partisë, të Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë, të kryetarit të Frontit Demokratik dhe të ministrit të Jashtëm i pati mbajtur ekskluzivisht të gjitha Enver Hoxha.
Kalimi i postit të kryeministrit nga Enveri te Mehmeti ka shumë të ngjarë të ketë qenë i detyruar në kuadrin e presionit që bënte Hrushovi pas vdekjes së Stalinit në kuadrin e luftës kundër “kultit të individit” dhe për ndryshime në udhëheqjen e lartë të “partive motra” komuniste.
Hrushovi nisi t’i pastronte ato nga sekretarët e parë të kohës së Stalinit. Pas fushatës antistaliniste të nisur nga Hrushovi, kriza e marrëdhënieve tona me kampin socialist ndihej edhe në Shqipëri. Pritej që Mehmeti, si më i preferuari i sovjetikëve, të zëvendësonte Enverin në krye të partisë. Ky i fundit mund të përfundonte ministër Bujqësie.
Por Enveri e parandjeu rrezikun dhe në vitin 1955 udhëtoi papritmas, i vetëm për në Moskë. Aty pati bërë vizita dhe takime konfidenciale me disa personalitete VIP. Thuhet se kur u kthye prej andej, Mehmeti tashmë, disi i fryrë dhe i përkëdhelur thuajse hapur prej sovjetikëve hrushovianë, as nuk e priti në aeroport. Madje me pretekstin e luftës ndaj privilegjeve, i pati hequr Enverit në mungesë të tij makinën dhe truprojën personale. Kurse Nexhmijen e pati shkarkuar nga posti i Kryetares së Bashkimit të Grave të Shqipërisë.
Mirëpo ishte nxituar. Me sa rezultoi më pas, Enveri i pati fituar në Moskë postet që donte t’i mbante për vete si dhe ato që do t’i ndante. Ai ruajti për vete postin e Sekretarit të Parë të Partisë dhe ndau pushtetin qeveritar me Mehmetin, duke e emëruar atë kryeministër të Shqipërisë. Njëri do të kryesonte partinë dhe tjetri, si pasardhës potencial i tij, qeverinë. Ky kompromis u ruajt heshturazi, i paprekur nga të dy, deri në vitin tragjik 1981.
Mehmeti ishte prej katër vitesh kryeministër, kur Maria hyri në Bllok dhe në shtëpinë e Mehmet Shehut, si dado e fëmijëve të tij. Duke qenë pa strehë e pa familje, ajo u strehua aty, si njeri i brendshëm i familjes Shehu. Në vitin 1958 fërkimet dhe mospërputhjet e qëndrimeve të Enverit me sovjetikët u bënë të nxehta. Në vitin 1959 Hrushovi erdhi për vizitë dyjavore në Shqipëri për t’i ftohur ato. E gjithë Tirana doli në rrugë për ta pritur me këngë e valle, dhe me pllakata e flamuj në duar.
Enveri trupmadh dhe Hrushovi, topolak i shkurtër, u përqafuan fort-fort dhe u puthën në buzë, faqe tërë turmës në aeroport. Unë isha maturant në gjimnazin “Qemal Stafa”, i vetmi gjimnaz në Tiranë në atë kohë dhe ne të gjithë nxënësit e përshëndetëm Hrushovin tullac kur kaloi përpara gjimnazit tonë në Rrugën e Durrësit.
Një shoku im i klasës, pasi turma u shpërnda, tha i mërzitur: “Me siguri Hrushovi do ta marrë me vete Enverin në Moskë dhe do ta bëjë anëtar të Byrosë Politike atje, se e vlerëson dhe e do shumë. Ai është kolos dhe i lindur që të drejtojë një vend të madh”. Por një tjetër tha me të qeshur: “Mirë, po mos na e merr për fare e nuk na e kthen më!”, dhe shkeli syrin.
Asnjëra nga këto të dyja nuk ndodhi. Sovjetikët dhe shqiptarët u grindën e u zunë dhe Enveri, Mehmeti e Hysniu qëndruan të bashkuar, pa u ndarë. Ndërkohë, Maria misterioze kryente detyrën e dados brenda Bllokut, në shtëpinë e kryeministrit, pa u përzier në politikë.
Fakti që ajo vinte nga një zonë që ndodhej nën influencën sovjetike, pa asnjë dokument me vete, mund të kishte mjaftuar që, për arsye sigurie, ajo të mos lejohej të hynte në Bllok e paverifikuar. Biografia e saj si person nuk njihej fare dhe as që u bë e mundur të njihej më pas.
Ndërkohë që në Bllok u bëhej “biografia” edhe shoferëve dhe hidraulikëve, madje edhe zogjve përpara se t’i lejonin të hynin dhe të fluturonin brenda tij, përse për këtë grua u bë një përjashtim kaq i pazakontë!? Nga buronte siguria dhe garancia politike për të?
Maria rezultonte fare pa familjarë apo të afërt, pa adresë banimi të mëparshme dhe pa miq apo fqinjë të njohur. Ishte vetmitare, beqare, pa lidhje sentimentale, pa dëshmi për mirësjelljen apo aftësitë profesionale, pra ishte si një bimë e rrallë, e një lloji të panjohur, që nuk dihej se ku dhe si kishte mbirë.
Thuhet se Mehmet Shehu u përpoq intensivisht, me anë të qeverisë së Çekosllovakisë së atëhershme, të gjente rrënjë familjare apo ndonjë të afërm të saj. Asgjë! Përfundimisht, ai e adoptoi atë shpirtërisht. Madje jo vetëm ai, por e gjithë familja Shehu, e njohu si pjesëtare të vet.
Marien unë e kam parë dhe takuar vetëm dy herë brenda vilës së Mehmetit. Nuk e kam vizituar si mjek, as kam bërë bisedë të gjatë me të. Shqipja e saj ishte e natyrshme të kishte theks të huaj, por ishte e kuptueshme. Asokohe ajo ishte relativisht e moshuar dhe çka më ka surprizuar më tepër ishte mënyra plot afeksion sesi u fliste dhe bisedonte me zogjtë e saj në kafaze, sikur ua dinte gjuhën.
Nuk besoj se u kërkonte ose priste prej tyre diçka si në vargjet e këngës mallëngjyese “Ju që shkoni det e male dua t’ju pyes e mjera”. Ajo i ushqente ata në disa kafaze në korridorin para dhomës së saj dhe ndoshta u kishte vënë secilit edhe emër.
Ngjante si një e burgosur pa pranga, pa gardianë, e lirë të shëtiste brenda të gjitha dhomave dhe hapësirave të shtëpisë, të shkonte në qytet, madje të frekuentonte, pa asnjë kompleks, kisha apo tempuj të shenjtë jashtë Tiranës, ku e shpinte me veturë Aliu, komandanti i truprojave të Mehmetit.
Kujt dhe për çfarë lutej ajo vallë? Dhe kjo ndodhte në një vend të shpallur ateist dhe kur ajo ishte tashmë pjesëtare e një familjeje muhamedane, të parët e së cilës kishin qenë shehlerë, besimtarë të fesë bektashiane.
Shqipja, mbesa e Mehmetit, bija e vëllait e rritur që në moshën 10-vjeçare te Mehmeti, tregon se në rini Maria ishte një grua e bukur, me sy bojë qielli. Vishej me shije dhe ishte mjaft e lirshme në mënyrën e sjelljes dhe në marrëdhëniet e saj. Ajo parapëlqente të pinte ndonjë krikëll birrë e vetme te hotel “Drini”, të shëtiste e të shkonte në kinema së bashku me djemtë e Mehmetit, që e kishin dado në fëmijëri. Sjellje disi liberale këto për mendësitë e ambientit shoqëror të asaj kohe, por dhe që ndoshta ndriçojnë ndopak misteret e origjinës, mënyrës së jetës dhe sjelljes së saj përpara ardhjes në Shqipëri.
Zonja N. N., historiane serioze, ish-drejtuese e Arkivit tonë Kombëtar, thotë e sigurt se ka gjetur në regjistrimet e sistemit TIMS të viteve 1920 kur ajo realisht pat ardhur në Shqipëri, të ketë hyrë në territorin tonë një grua e quajtur Maria Saas, si dhe motivin e ardhjes së saj! Mos t’i ketë ditur vallë e as zbuluar dot Mehmeti ato? Apo atij ia kanë fshehur?
Ndryshe nga personeli tjetër që shërbente në familjen Shehu, Maria gëzonte status të veçantë. Ajo ulej në të njëjtën tavolinë me ta, si anëtare e barabartë e familjes. Peripecitë, vuajtjet dhe mangësitë gjatë jetës ishin shndërruar në avantazhe për të, që i gëzonte tashmë në atë familje.
Aq sa as paranojat, manipulimet biografike dhe lufta e klasave që zhvilloheshin, të ashpra dhe pa kompromis, jashtë mureve të shtëpisë ku ajo ishte strehuar, nuk e prekën dot. Askush nuk pati kuriozitetin apo guximin që të hetonte ose të pyeste: Kush je vërtet, moj e panjohura Maria? E mbrojti fati nga këto apo dikush tjetër? Kush tjetër vallë mund të ishte përveç vetë Mehmetit?
Mehmeti asokohe kishte ende gjallë edhe nënën e tij, Sulltanen, e cila banonte në një kat më lart, në të njëjtën vilë me Marien. Ajo dilte më rrallë nga dhoma e saj. Në vitet e mia të para në Klinikën Speciale, unë shkoja tek ajo më shpesh, sepse vuante nga hipertensioni dhe obeziteti.
Ishte grua mjaft e zgjuar e bujare edhe ajo, por ndihej një lloj xhelozie për hapësirat dhe vëmendjen që i qenë krijuar çekes së ardhur nga një provincë e humbur diku larg mes Çekosllovakisë, Polonisë dhe Austrisë.
Por, edhe pse ishte nëna e vërtetë Sulltanja nuk kishte fuqi, as mundësi që t’i kundërvihej, sepse e huaja eksentrike ua kishte fituar mendjen dhe zbutur zemrën të gjithë anëtarëve të familjes, me mënyrën e sjelljes, por dhe me fatin thuajse biblik të papërsëritshëm të saj.
Pyetja që nuk u shtrua dhe enigma që nuk u zbulua kurrë ndonjëherë ishte nëse fati i rrallë dhe i çuditshëm i Maries ishte rastësi providenciale apo për arsye që nuk dihen fatin asaj ia vuri mbi pjatë vetë Mehmeti, falë një vale dhembshurie episodike, spontane e selektive që e kaplonte befasisht ndonjëherë, në formë mëshire dhe dashamirësie bashkë.
Kjo ndoshta si për të balancuar impulset e egërsisë dhe mizorive që ai pat kryer gjatë luftës, të cilat i ishin shndërruar më pas në kohë paqeje në një duf vrastar, thuajse epshor, të cilin ai e shfrynte gjatë fundjavave maleve në gjah duke vrarë me armë rosa dhe derra të egër.
E kam shoqëruar si mjek gjithsej dy herë në gjah. Ajo që më pat impresionuar ishte mënyra se si ai relaksohej dhe krenohej kur arrinte të vriste. Gëzimi i tij ishte i jashtëzakonshëm. Atë çast tjetërsohej, bëhej si adoleshent, plot ngazëllim. Mbase kështu ndodh me të gjithë gjuetarët.
Gjahu më i preferuar i tij ishte ai i derrit të egër. Në rezervuarët e posaçëm të gjuetisë, sidomos në Sazan e Karaburun, të cilat ruheshin vetëm për udhëheqësit e lartë, një skuadër e tërë ushtarësh dhe gjahtarë lokalë detyronin me anë të zhurmave derrat që të dilnin nga strofkat e tyre për t’u ekspozuar përpara vendit ku ai i priste që t’i vriste.
Mbi derrat derdheshin plumbat me një duf të egër, meqë ndoshta nuk i derdhte dot gjetkë, apo mbase sepse kështu çlirohej nga një zjarrmi pasionante e brendshme e mbajtur ndoshta kushedi sa kohë fshehur brenda vetes. Mehmeti, si Ernest Heminguej, ishte i dashuruar pas armës dhe siç ndodh me pasionet fatale të tillë, nuk ishte çudi pse edhe vdekja u erdhi të dyve prej saj.
Enveri, i cili banonte jo më larg se 100 metra më tutje, nuk dihet nëse e ka pyetur ose përmendur ndonjëherë fqinjën e huaj misterioze. Futja dhe mbajtja e saj brenda shtëpisë së tij në Bllok ishte vallë vendimi i parë i marrë prej vetë Mehmetit pa e pyetur Enverin?
Nëse po, a ishte ky edhe tregues i karakterit të tij që nuk vetëpërmbahej përballë shtysave të dallgëve shpirtërore apo të një ndjenje vetësigurie të tepruar, që e pushtonte dhe e bënte atë të shpërfillte me guxim çmendurak dogmat biografike për bashkëjetesën brenda Bllokut e të merrte vendime paradoksale të ndaluara për staturën dhe postet e tij politike, partiake dhe shtetërore?
A ishte vallë një dallgë e tillë e natyrës sfiduese dhe sentimentale edhe ajo së cilës ai nuk i rezistoi dot në vitin 1981, kur i biri i tij, Skënderi, i kërkoi leje për t’u fejuar me një vajzë me biografi politike familjare jo në përputhje me normat, kriteret dhe kufizimet që i impononte partia dhe ideologjia së cilës ai i përkiste dhe madje i udhëhiqte?
Mehmeti në fakt në ballafaqimet me Enverin do ta quante më pas miratimin e asaj fejese të ndaluar si gabim fatal të tij, prej sentimentalizmit prindëror. Por ky justifikim nuk i piu ujë. Përse vallë? Sepse nuk ia njihnin vërtet ato dallgë emocionale marroke të pakontrolluara kalimtare jo keqdashëse, që herë pas here e pushtonin dhe e tjetërsonin? Apo sepse nuk deshën t’ia dinin për to. Madje as nuk deshën, sepse nuk duhej që ta shpëtonin.