KONGRESI I PS/ Kryeministri Rama: Shqipëria në BE para 2030, me Berishën në pushtet sot do të kishim përfunduar në humner

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Kongresin e PS, vuri theksin në ndryshimet që ka pësuar vendi në këto vite, reforma në drejtësi, tërmeti, negociatat me BE-në, situata në kampin e opozitës, marrëdhëniet me fqinjët, si dhe për perspektivën evropiane që e pret Shqipërinë.

Sipas tij, Shqipëria do të jetë në BE edhe përpara 2030, një kufi ky i vendosur nga krerët më të lartë të Bashkimit Evropian, artikuluar në disa takime dhe samite evropiane.

“Ne do shkojmë në Bruksel për mbledhjen e KE-së, me kokën lart për të gjitha rezultatet e nënvizuara qartë në raportin e kongresit amerikan dhe të përshëndetura nga 26 vendet anëtarë të BE-së.  Vetëm një shtet e ka lënë ende pezull opinionin e vet dhe jo për rezultatet e pamohueshme të Shqipërisë, por për një arsye të mos arsyes tradicionale ballkanike dhe ai vend është Greqia. Historia dihet. Qëndrimi as nuk ndryshon deri në 13 dhjetor dhe as përtej 13 dhjetorit. Ky qëndrim nuk do të ndryshojë.”

“Jo sepse ne jemi kokëfortë, por sepse arsyeja për të mos ndryshuar qëndrimin është shumë më kokëfortë se ne. Unë nuk do të besoj se deri në 13 dhjetor,  fqinjët tanë, do ti venë ‘tapën e vetos’, shishes së hapur me aq përkushtim punë e profesionalizëm nga një skuadër e më shumë se 100 vetave në të gjithë sistemin e shtetit tonë që e ka përfaqësuar me dinjitet e seriozitet Shqipërinë në tryezat e dialogut për skanimin e plotë të gjendjes së vendit duke na nderuar të gjithëve.”

“Në rast se kjo ndodh unë nuk do kthehem nga Brukseli i mërzitur, asnjë fije, ju siguroj. Do kthehem edhe më krenar edhe më i motivuar për të vazhduar së bashku punët e mëdha të shtëpisë tonë të përbashkët edhe më i bindur se një absurditet i tillë s’do ta vonojë asnjë ditë procesin tonë në BE. Madje edhe më i vendosur për të përshpejtuar këtë proces për ta bërë gati Shqipërinë për në BE edhe më parë sesa Shqipëria të jetë gati”, tha Rama.

Rama ka nënvizuar dhe sfidat kryesore me të cilat janë përballur socialistët gjatë qeverisjes.

“Sot kemi shpalosur prioritetet tona kryesore të zhvillimit për ta ngjitur Shqipërinë në majën e lartë drejtë si cilës u nisëm 10 vite më parë. Morëm në kurriz borxhe, krim të organizuar, varfëri, por edhe krim ordiner të shtrirë në të gjithë zonat e banuara të vendit. E morëm në një kohë kur askush nuk e merrte seriozisht emrin Shqipëri, dhe Shqipëria goditej sa herë zihej me gojë, qoftë në institucionet ndërkombëtare, qoftë në mediet e botës së lirë. Kemi luftuar me mijëra plagë të trashëguara dhe të fatkeqësive të reja, që na sprovuan njëra pas tjetrës nga një tërmet shkatërrimtar në një pandemi marramendëse”, theksoi Rama.

Sipas tij, nëse do ishte PD-ja përballë këtyre sfidave, sot do ishim në humnerë, pa asnjë ekzagjerim të ngjashme me humnerën e 1997. Rama theksoi se vetëm falë PS të trija furtunat na gjetën në këmbë dhe të gatshëm për të mbrojtur njerëzit e zakonshëm të këtij vendi me forcën dhe dinjitetin e një shteti që ende nuk ua plotëson dot shumë gjëra qytetarëve, por ama nuk i lë vetëm në momentet e vështirësive të mëdha.

“Sikur tërmeti të na kishte gjetur me borxhet mbetëse të vitit 2013, do ishte katastrofë. Imagjinojeni sikur pandemia të na kishte gjetur me shërbimet e urgjencës së 2013? Apo pa investime digjitale, sesi do të kishin shkuar gjërat. Merrni me mend sesi egërsi e luftës që ngriti çmimet në qiell të karburanteve të na kishte gjetur me gjysmën e miletit që nuk paguante dritat? Sot Shqipëria është një vend krejt tjetër, i cili çmohet si kurrë më parë për përparimet e dukshme që ka bërë. Ka një koherencë kombëtare më të forte se asnjëherë që ecën çdo ditë para dhe ulet në çdo tryezë të komuniteti ndërkombëtar, jo vetëm duke dhënë respekt, por duke marrë të njëjtin respekt nga të gjithë. Unë besoj se Shqipëria nuk është aspak jashtë rrezikut të rikthimit mbrapa nëse ne nuk do të fokusohemi për angazhimin e përbashkët tek krijimi i garancive të progresit pa kthim dhe pa ndalim”, theksoi Rama në fjalën e tij.

Rama tregoi gjatë fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste se si legjislacioni me BE do të bëhet në sajë të Inteligjencës Artificiale. “Ju e dini si është jeta, secili ka fiksimin e vet dhe unë kam fiksimin tim,” – u shpreh Rama, ndërsa nisi të tregonte historinë se si e kishte kontaktuar Mira Muratin, shqiptaren e suksesshme në botë, në fushën e teknologjisë. Ai tha se e kishte kontaktuar me një ndrojtje që nuk e karakterizon dhe ajo i kishte mundësuar një bisedë telefonike. Kryeministri tregoi se si i kishte kërkuar ndihme për ta bërë Shqipërinë gati më shpejt për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“A është e mundur që në vend se ne siç kanë bërë vendet e tjera më parë, të rekrutojmë një armatë me përkthyes dhe një batalion me juristë, dhe të shpenzojmë s’di se sa dhjetëra miliona euro për të bërë gati në shqip malin me masat ligjore të be ta bëjmë këtë përmes ChatGPT,” – e kishte pyetur Rama. – “Sot dua ta ndaj me ju që në 13 dhjetor në Bruksel, kur të mbarojë mbledhja, bashkë me dilemën greke, unë do t’jua lë si kartolinë të vitit të ri të Shqipërisë të gjithë liderëve të Bashkimit Europian, rezultatin e testit të suksesshëm, të modelit shqiptar të Inteligjencës Artificiale, për ndërvendosjen në legjislacionin tonë të 280 mijë faqeve, masa ligjore të BE-së,” – tregoi mes të tjerave kryeministri Edi Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *