Me një vepër të shkruar 40 vite më parë, shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, është rikthyer në libraritë italiane.
Pikërisht me veprën “Pallati i ëndrrave”, i cili ruan gjithë fuqinë dhe freskinë distopike të së tashmes.
Në një intervistë për rubrikën “La Lettura” të “Corriere della Sera”, shkrimtari flet për kohën kur u shkruajt romani, marrëdhënien me diktatorin Enver Hoxha, arratinë në Francë e deri për teknologjinë dhe frikën se mos kjo e fundit po na kontrollon.
I nderuar zoti Kadare, fillimisht ju falënderoj shumë që pranuat këtë intervistë. Kjo intervistë po bëhet me rastin e botimit në Itali të veprës suaj “Pallati i ëndrrave”, botuar në Shqipëri në vitin 1981. Cili është këndvështrimi juaj aktual ndaj një libri që keni shkruar më shumë se 40 vjet më parë?
Është një libër i shkruar për atë kohë. Shqipëria ishte një vend totalitar dhe si shkrimtar ndjeja që përmasa e komunizmit dhe pushteti i tij mbi individin po bëhej absolut.
E gjithë ajo atmosferë që përshkruhet në këtë vepër nuk ndryshon shumë nga totalitarizmi shtypës i Shqipërisë së Enver Hoxhës në atë periudhë.
Në kokën time, gjithë ajo zymtësi që kam mundur të shpreh ishte e vërtetë, e sot kjo më gëzon që kam mundur ta shpreh. Letërsia të jep mundësinë e jetës dhe në kushte të tilla. Ky ishte fati im, jeta me letërsinë.
Në kohën kur u shkrua ishte absolutisht aktual. Por edhe tani është aktual, por me kalimin e 40 viteve asgjë nuk ka humbur nga kualitetet e tij.
Unë me gëzim i rishfaq edhe njëherë ato mendime për publikun e sotëm. E bën aktual fryma kritike, mohuese që ka pasur që në atë kohë, ka qenë shumë e ashpër. Më gëzon fakti që kam pasur një mendim aq radikal për kohën.
Kjo ashpërsi nuk ka rënë me kalimin e kohës. Ndaj librit në ato vite pati presione, ndalime, kritika. Për herë të parë pas daljes së këtij romani mendova se do të më arrestonin, pasi fryma anti-sistem në të ishte e dukshme.
Dhe cili është këndvështrimi juaj ndaj njeriut dhe shkrimtarit Ismail Kadare të vitit 1981? Mendoni se keni ndryshuar shumë? Dhe nëse po, si?
Nuk mendoj se kam ndryshuar. Në letërsi gjërat ndryshojnë shumë ngadalë, në mendjen e shkrimtarit gjithashtu, e kjo është diçka pozitive.
Në vitin 1981 pikëpamjet e mia mbi totalitarizmin, kërkonin të konfiguronin një Shqipëri evropiane ashtu siç ishin rrënjët e saj.
E kam mbrojtur këtë pikëpamje me veprat e mia, në mënyrë të natyrshme, duke besuar në një përkatësi të hershme evropiane të këtij populli që jetoi një nga sistemet më të egra komuniste.
Gjithë vepra ime përpiqet të orientojë lexuesin drejt një zgjimi të brendshëm, por dhe aq të bukur që letërsia mund ta japë, dhe pse në ato vite dukej e pamundur.
Për një person si unë, që sot lexon për herë të parë veprën “Pallati i ëndrrave”, ky roman është befasues sepse është shumë aktual. Mendonit se po shkruanit mbi të gjitha një alegori të regjimit komunist shqiptar? Apo ishit në dijeni, tashmë që në atë kohë, për shtrirjen universale dhe të përjetshme të romanit?
Shkrimtari e ndjen me intuitë për gjërat që shkruan e jeton, se duke qenë të kohës ato janë njëkohësisht të përjetshme.
Për fat të mirë kjo temë që zhvillohet në këtë roman është e përjetshme. Vepra është një satirë e totalitarizmit, që kalon kufijtë lokalë e kombëtarë. Thagma e këtij romani është shkruar te një nga novelat që kam shkruar paralelisht në atë kohë.
Ndoshta te “Qorrfermani” kam idenë e një personazhi që të çon tek ëndrra. Më vonë, ky mendim do të fekste tek unë kur dëgjova mbi disa vjedhje në Tiranë.
Vjedhje të çuditshme, groteske, në plan të parë, por që zgjuan tek unë projektimin e skëterrës. Kishte kohë që më joshte projektimi i një skëterre.
E kam treguar këtë e në librin “Kohë për rrëfim”, një bisedë me një studiuese shqiptare ku them se “E dija që ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të shkruaja një vepër të tillë. Vetëm pasi shkrova dy kapitujt e parë të veprës, ndjeva se po realizoja atë që më ishte dukur e pamundur: skëterrën. Ishte një lloj mbretërie e vdekjes ku, në mos ne vetë, ishte gjumi dhe ëndrrat tona, një pjesë e jetës sonë që gjendej matanë, ndërkohë që ne ishim këtej.
Romani pasqyron tensionin midis etnicitetit kombëtar dhe atij perandorak për një individ e dinasti, fati i të cilëve është i lidhur njëkohësisht me politikën kombëtare e atë ndërkombëtare. Isha i vetëdijshëm për fatalitetin që mund të më sillte ky libër, por aq i bindur në fuqinë universale të kësaj teme.
A është fuqia e ëndrrave në roman e ngjashme me fuqinë e informacionit në botën e sotme?
Imazhet e fuqishme dhe logjika gati surreale e bënin personazhin e këtij romani Mark Alemin shpesh të pafuqishëm përballë fuqisë së ëndrrave. Bota njerëzore ka aftësinë të përshkruajë e përsërisë veten në shumë forma, të gjejë mënyra për t’i mbijetuar pengesave.
Alegoria e “Pallatit të Ëndrrave” në kontekstet e reja kulturore, shoqërore, apo një bote e cila tashmë po përballet me konflikte të reja më ashpra siç janë dy vatrat e luftërave të reja, që po sjellin një kërcënim për stabilitetin, rikthen vëmendjen tek nevoja e urtësisë njerëzore.
Fuqia e informacionit në kohët e sotme po rikthen një tjetër totalitarizëm, atë mbi kulturën. Ruajtja e kulturës në këto ujëra të fuqishme të informacionit është detyrë e njerëzve të shkrimit.
Çfarë mendoni për përpjekjet e teknologjisë, e cila po funksionon (punon) kudo në botën bashkëkohore, nga Kina në Silicon Valley, dhe po bëhen përpjekje të digjitalizohet gjithçka, dhe si rrjedhojë ndoshta një ditë a do të mund të arrihet deri aty sa të kontrollohet mendimi njerëzor?
Kjo është një përpjekje e pamundur.
Çfarë roli luajti vepra “Pallati i Ëndrrave” në lidhje me situatën tuaj në Shqipëri edhe në lidhje me vendimin që ju morët për të jetuar në Paris?
Ky roman më solli shumë telashe dhe pse isha mësuar me telashe. Zakonisht botimi i veprave të mia shoqërohej gjithnjë me kritika në shtyp, mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve.
Kudo në Tiranë flitej se “është ndaluar libri i Kadaresë dhe pritet dënimi”. Botimi i veprave të mia në Francë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në lidhje me situatën në të cilën unë si shkrimtar ndodhesha në Shqipëri. Franca, lexuesi perëndimor ka luajtur një rol në shpëtimin e situatës sime. Më vonë në Kafe Rostand në Paris kam takuar një gazetare franceze e cila më ka treguar se ka shkuar në ambasadën tonë dhe ka pyetur mbi gjendjen time.
Erdhën shumë informacione nga Perëndimi, që shtypi i huaj interesohet për Kadarenë dhe kjo e trembi Enver Hoxhën. Në këtë rast veproi mekanizmi i mbrojtjes perëndimore. Ka qenë periudha më e zezë në jetën time.
Largimi im drejt Francës duke ikur përgjithmonë nga vendi im erdhi në rrethana kur kuptova se kjo ishte mënyra e vetme për të ndryshuar kursin e regjimit në Shqipëri. Udhëheqësi komunist i asaj kohe duket se nuk do ta bënte një veprim të tillë. Ika kur mendova se ky veprim do të luante një rol për rënien e komunizmit në vend.
Keni lindur në të njëjtin qytet, Gjirokastër, me diktatorin Enver Hoxha. Cila ka qenë marrëdhënia juaj me të?
Nuk kam pasur asnjë marrëdhënie personale me të.
Ne kemi qenë komshinj, në lagjen më të vjetër e më të madhe të Gjirokastrës, te rrugica që unë i kam ringjallur emrin e çuditshëm “Sokaku i të marrëve”.
Në Gjirokastër Enver Hoxha nuk njihej shumë gjatë luftës, pasi shtëpitë gjirokastrite kishin shumë identitet të fortë dhe nuk lejonin spikatjen e identiteteve të zbehta.
Mendimi im i gjithëkohshëm për Enver Hoxhën ka qenë jo pozitiv. Nuk gjendet në veprën time askund ndonjë përshkrim ku të theksohet admirimi për të.
Kjo shpaloset qartë, sidomos, te “Dimri i vetmisë së madhe”, ku ai përshkruhet gjerësisht në biseda me të tjerët dhe s’ka ndonjë ndryshim midis tij dhe galerisë së personazheve krejtësisht negative të atij që quhej blloku komunist.
Në moshën 11-vjeçare ju kopjuat me dorë të gjithë Makbethin. Pse Shekspiri ishte kaq i rëndësishëm për ju?
Tragjedia e Shekspirit pushtoi mendjen time që kur isha ende fëmijë. Makbethi shfaqi para meje botën e letërsisë.
U dhashë pas kësaj magjepsjeje siç i jepesh një feje. Me mendimin se po ta kopjoje librin bëhet yti, pra bëheshe autor, e kopjova të gjithin me dorë me një laps e një letër.
Ky ishte një koncept i çuditshëm që nuk e di se nga më lindi dhe nuk arrij ta shpjegoj dot, por një ide e tillë më vazhdoi për një kohë shumë të gjatë, duke menduar se përderisa unë kopjoja një libër, isha njëkohësisht dhe pjesëmarrës në krijimin e tij.
Kështu, pasi kopjova një pjesë të Makbethit, jetoja vetëm me të. Shekspiri ka qenë gjithnjë i rëndësishëm në veprën time e vijon të jetë si një mjeshtër që të udhëheq drejt portave të letërsisë së madhe.
Ndryshe nga shkrimtarët e tjerë të mëdhenj të mërguar, si Conrad, Nabokov apo Kundera, ju nuk e keni braktisur kurrë gjuhën tuaj origjinale, shqipen. Përse?
Mendoja se mund ti jepja më shumë artit tim me këtë gjuhë. Gjuha shqipe më ka dhënë gjithë hapësirën për të shprehur përmes saj përfytyrimet e mia. Nuk kam ndjerë asnjëherë pengesë në artin tim nga kjo gjuhë, por jam magjepsur vazhdimisht pas bukurisë së saj.