“Ka ardhur Imzot Fan Noli, na e ka sjellë Ilir Ikonomi tani”, Visar Zhiti takohet me autorin e “Apostullit&#8

Nga Visar Zhiti

Ka disa ditë që ka ardhur, po takon shqiptarë, po shkon andej këndej si misionar, magjepsës si ai, në universitete, biblioteka, tubime, etj, ja, erdhi dhe në shtëpinë time, – thjeshtë si libër – dhe siç ndodh, kur vjen dikush që e do, duhet t’i lësh të gjitha dhe duhet të merresh me të, me pritjen e tij, duhet ta dëgjosh, i mençur, i rëndësishëm, “i pashoq” do të thoshte im atë, fanolist atëhere dhe vërtet dhe te Noli ka diçka atërore, s’është fjala thjeshtë për historinë a detyrën, as për moshën e shkuar, që e mendojmë gjithmonë të atillë, por për diçka tjetër siperane, për porositë e vyera dhe përvojën e madhe, e gjitha dije dhe vrull, ku ndërkaq ai duket i ri dhe i nevojshëm dhe shkëlqen…

S’ka si të jetë ndryshe, e ka sjellë

Ilir Ikonomi… historiani.

Reklamo ne TiranaWeb

Ta lëmë entuziazmin e librit për herë tjetër, në fakt ka ardhur Ilir Ikonomi, ashtu siç di të vijë ai, rrallë dhe bukur dhe ardhjet e tij janë ngjarje. Këtë radhë është shfaqur si Fan Noli, një risi marramendëse…

E njohëm kur erdhi si Faik Konica, aristokrat dhe fin, mendjendritur dhe nopran elegant, patriot dhe perëndimor, pastaj i armatisur si Esat Pashë Toptani, konfliktual i hapur, që mjegulla e bën të duket herë si tigër e herë si dhelpër, që shkund nga trupi akuza si shigjeta të hedhura mbi të, me plagët që janë të kohës, të vendit… dhe tani hapi dyert si Fan Noli, sapo erdhi, me bagazhet e apostullit, të rrëmben me ato që tregon, me aventurën që do ta vazhdojë dhe me dy libra të tjerë.

Dua të them se Ilir Ikonomi e do personazhin që zgjedh nga historia e popullit të tij, kur të gjithë trashëgojmë diçka prej tyre, në mendësi e bëma, ndërsa Ilir Ikonomi vishet me ta, bëhet ata, me besnikërinë ndaj faktit, të dokumentit në dosjet e tyre, që i mbush plot, duke kërkuar me vullnet dhe inteligjencë dhe dëshmisë, pasi i gjen interesanten dhe risinë, i jep frymë, i jep kohë.

Madhështia e veprave të Ilir Ikonomit është se ai sjell kohë historike tẽ atdheut, realitet si një kronikan skrupuloz, që aq sa e shkuar, ngjan dhe është vlerë e sotme dhe në ndryshim nga historianët akademikë, ajo që zgjedh të shkruajë ai, vjen e gjallë, e lë të jetojë vetë, duket se nuk ndërhyn, gjykojeni ju, duket sikur thotë, unë solla histori.

Po ai sjell më shumë se aq, bëmat të kthyer në vlerë, përvojën të shndërruar në porosi, me akademi pa akademizëm, me saktësi shkencëtari, teksa mbart emocion historie. Nuk bën autopsi realitesh, por i ngjall ato, gati si në roman, duke mbetur historian i shkëlqyer, madje i gozhduar dhe në data…

Prandaj, do të thosha se duket se janë personalitet e historisë që s’dihet me ç’zell hyjnor, zgjedhin Ilir Ikonomin për monografinë e tyre… Pse, ai ka karakterin e tyre? Ilir Ikonomi është vetvetja, hesht dhe di të dëgjojë, takimet me të janë serioze dhe po aq tẽ përzemërta, duhet të jenë të shumta në llojshmëri, që nga Shqipëria e tij e Kina ku ka qenë student e në SHBA, ku jeton dhe punoi për vite të tẽra si gazetar i “Zërit të Amerikës”, aty e kam takuar, në Washington, por edhe në Tiranë, ndërkaq ai mẽsoi shumë nga historigrafia amerikane, punën me dukumentin, qẽ ẽshtë dhe pasion dhe mjeshtẽri, duket se i interesojnë dijet e së vërtetës, kur e lexon, kupton se historia për atë nuk është e kaluar e mbyllur, ajo vazhdon si një e tashme, paçka se e dikurshme, te njerëzit me të cilẽt rri, zbulon histori dhe te historia gjen njerëz të veçantë, të arrirë, duket se e tërheqin më kompleksët, në njẽ farë mënyre “të dështuarit gjenialë”, të ndërprerët mẽ saktë, ku tërheqja apo dështimi i tyre është vepër madhore, është histori, Konica i tij është shumëçka, një kryevepër, por ai s’deshi të bëhej shkrimtar i mirëfilltë dhe është dhe i tillë, Esat Pashë Toptani është luftëtar ambicioz, i një diplomacie vulgare, s’u bë dot lider, madje i damkosur si tradhtar, por e lëvizi historinë e atdheut… Tani Fan Noli, që arriti të bëjë një revolucion, nuk e mbajti dot, “prifti bolshevik” e kanë quajtur, autoqefalist, orator, Skënderbejan, Shekspirolog, meshtar Bet’hovian, i zemëruar me regjimin e Hoxhës, etj, por të presim historianin Ilir Ikonomi, zbulesën e tij.

Sepse ai di të sjellë kohë të atdheut.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *