“Jeta është e shenjtë, lufta jo”, protesta masive kundër Netanjahut, bisedime për paqen në Kajro

“Lufta nuk është e shenjtë, jeta po!” Me këtë thirrje, dhjetëra mijëra izraelitë protestuan gjatë natës duke kërkuar arritjen e një marrëveshje për kthimin e pengjeve të mbajtura nga Hamas, në prag të bisedimeve të mëtejshme të paqes.

Shumë prej tyre akuzuan kryeministrin Benjamin Netanjahu se dëshiron të zgjasë konfliktin në Gaza.

“Jam këtu sot për të mbështetur një marrëveshje. Pengjet duhet të kthehen; ata që janë gjallë por edhe ata që kanë vdekur. Qeveria duhet të ndryshojë, e gjitha kjo duhet të marrë fund.” tha Natalie Eldor.

Manifestimet u zhvilluan pasi një delegacion i Hamasit u takua me negociatorët në Egjipt ditën e shtunë, ndërsa u njoftuan bisedime të mëtejshme.

Negociatat që zgjasin prej muajsh rinisën në Kajro nën ndërmjetësimin e Egjiptit dhe Katarit, me synimin për t’i dhënë fund ofensivës izraelite në enklavën e copëtuar në këmbim të lirimit të pengjeve.

Pika me e kontestuar duket të jetë ajo, nëse ujdia do të jetë e përkohshme apo e përhershme. Sipas raportimeve kushtet që po diskutohen përfshijnë një pauzë 40 ditore në luftime teksa lirohen pengjet, dhe po ashtu lirimin e një numri të burgosurish palestinezë në burgjet izraelite.

Një këshilltar i liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh tha se grupi po e shqyrtonte propozimin e fundit me shumë seriozitet, por përsëriti se çdo marrëveshje duhej të përfshijë tërheqjen e Izraelit nga Gaza dhe fundin e plotë të luftës.

Por zyrtarë të qeverisë izraelite theksojnë se në asnjë rrethanë nuk do të pranonin t’i jepnin fund luftës, si pjesë e një ujdie për lirimin e pengjeve dhe se lufta do të vijonte deri në eliminimin e Hamasit.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *