“Gratë zgjedhin drogën ose vdekjen”, fituesja e Nobelit për Paqe: Të jesh vajzë në Afganistan është e paligj

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, i krahasoi kufizimet e talebanëve ndaj grave në Afganistan me trajtimin e zezakëve nën aparteid, në një leksion të organizuar nga Fondacioni Nelson Mandela në Afrikën e Jugut, me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së presidentit të parë me ngjyrë në Afrikën e Jugut.

Malala Yousafzai u qëlluar në kokë kur ishte 15 vjeç në Pakistanin e saj të lindjes, nga një person i armatosur, i cili e sulmoi pasi ajo bëri fushatë për të drejtat e vajzave për arsimim.

Që nga fitimi i çmimit Nobel për Paqen në vitin 2014, Malala tani 26-vjeçare, është bërë një simbol global i luftës së grave kundër shtypjes.

“Nëse je vajzë në Afganistan, talibanët kanë vendosur të ardhmen tënde. Ju nuk mund të ndiqni një shkollë të mesme apo universitet. Nuk mund të gjesh një bibliotekë të hapur për të lexuar. Ju i shihni nënat dhe motrat tuaja më të mëdha të kufizuara,” tha Yousafzai.

Yousafzai tha gjithashtu se veprimet e talebanëve do të konsideroheshin “aparteid i bazuar në gjini” dhe se “në fakt ata e bënë të paligjshme të qenit vajzë”. Ajo gjithashtu vuri në dukje se vajzat në Afganistan “i kthehen drogës” dhe “përpiqen t’i japin fund jetës së tyre” për shkak të shtypjes.

Ajo tha se aktorët ndërkombëtarë nuk duhet të normalizojnë marrëdhëniet me talebanët, të cilët u kthyen në pushtet në Afganistan në 2021 pasi forcat e udhëhequra nga SHBA u tërhoqën pas 20 vitesh luftë.

Që nga kthimi në pushtet në gusht 2021, qeveria Taliban është angazhuar në kufizimin e të drejtave të grave në Afganistan. Brenda 2 vitesh, shkollat ​​e mesme mbyllën dyert për gratë, ndërsa atyre u ndalohen edhe parqet, hamamet dhe qendrat sportive.

Talebanët thonë se respektojnë të drejtat e grave dhe veprojnë sipas interpretimit të tyre të ligjit islam dhe zakoneve afgane. Në fakt, ata deklarojnë se zyrtarët janë duke punuar në plane për hapjen e shkollave të mesme për vajza, por pas kaq kohësh në pushtet nuk kanë dhënë një afat për planin e tyre specifik./Liberale.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com