Emigrantët, kryeministri shqiptar Rama: Do të bashkërendohet gjithçka nga Italia, pse? Asnjëri nuk më ka kritikuar

Nga Leonard Berberi

Më shumë se sa kundërveprimet e opozitave të tij e kanë befasuar e bezdisur vërtetë kritikat e PD (italiane) kryeministrin shqiptar, që për Corriere della Sera, jep ndonjë hollësi më shumë mbi marrëveshjen.

Simbas zëvendës-sekretarit Fazzolari emigrantët mund të qëndrojnë  në qëndrat në Shqipëri deri në 18 muaj. Është kështu?

 Marrëveshja parashikon që emigrantët të qëndrojnë në qëndrat e mikpritjes “me qëllimin e vetëm të shqyrtohen proçedurat e kufirit apo të riatdhesimit, të parashikuara nga normativat italiane dhe evropiane dhe për kohën ngushtësisht të detyrueshme”. Në rastet kur nuk është e drejta e qëndrimit në strukturat, Italia i zhvendos menjëherë emigrantët nga territori shqiptar”.

A ka rrezik që ndërmjet emigrantëve të ketë terroristë?

“Nuk ka arsye të kihet frikë. Duhet vetëm të kemi vullnetin  e kujdesin të kryejmë këtë zotim  në respektin e dinjitetit njerëzor e të rregullave të vendosura për funksionimin e këtij operacioni të përbashkët që përfshijnë edhe kontrollin nga agjensitë e Sigurisë të dy Vëndeve.

A nuk ke frikë që Italia të braktisë të ikurit tek juve?

“Përgjigja është në marrëveshjen. Periudha e qëndrimit në territorin shqiptar nuk mund të jetë më e madhe se sa ajo më e larta e lejuar nga normativa italiane në atë lëndë. Autoritetet italiane, në përfundim të proçedurave të zhvilluara  në përputhje me ligjëshmërinë e tyre, do të marrin masa t’i largojnë”.

Kush do të vijë në Shqipëri? Në fillim dukej se bëhej fjalë vetëm për burrat.

“Për burrat” ka folur ai që i ka përcjellë mediave në mënyrë të shtrëmbër atë që ka pohuar Meloni në konferencën e shtypit. Kryeministreja ka nënvizuar se të miturit e gratë shtatzëna nuk hyjnë  në kategoritë e atyre njerëzve që do të strehohen  në qëndrat e pritjes në Shqipëri.

A jeni kontaktuar nga Vënde të tjera evropianë mbas marrëveshjes me Italinë?

Jo e nuk do të jemi të hapur kundrejt këtyre kërkesave të mundëshme, ashtu si nuk ishim të hapur më parë se sa Italia të na e kërkonte. Romës nuk mund t’i thonim jo sepse kemi një borxh mirënjohjeje që nuk mund t’a shlyejmë kurrë, por që duhet të mos e harrojmë kurrë”.

Çështjet e lidhura me kërkesën e strehimit do të mbarështohen nga avokatë italianë që do të vijnë në Shqipëri?  

“Ky veprim do të jetë 100 % përgjegjësi e pjesës italiane në çdo vështrim.

Njëra nga Opozitat shqiptare thotë se nuk është kushtetuese t’i lëshohet një pjesë e tokës një Shteti tjetër.   

“Ligjet tona mbi këtë pikë janë të qarta: marrëveshja do të ratifikohet nga Parlamenti në javët e ardhëshme”.

Ish kryeministri Sali Berisha ka thënë në Corriere  se druan ksenofobi e protesta kundër italianëve. Si i përgjigjesh?

“Nuk i përgjigjem kurrë në gjuhë të huaj opozitës në Shqipëri, ndërsa fjalët e politikanit si ai, i papëlqyer nga SHBA, për “korrupsionin e rëndë që ka ndërlikuar familjen e tij e ka minuar demokracinë” në Vendin tonë nuk i komentoj as edhe në shqip. Fatmirësisht shqiptarët e dijnë mirë se çfarë do të thotë emigracion e mikpritje  kundrejt atij që ka nevojë.

Ju ardhi keq për kundërveprimin e PD italiane?

“Kam mbetur i befasuar. Kanë të drejtë të kundërshtojnë e të kritikojnë qeverinë e tyre, por nuk ka arsye të venë në mes socializmin dhe qeverinë shqiptare. Qeveritë shkojnë e vijnë, ndërpretimet e socializmit ndryshojnë, por Shqipëria dhe Italia janë gjithmonë aty të lidhur pazgjidhshmërisht në ditët e mira e të këqia”.

Çfarë i kundërshton PD italiane në lidhje me kundërveprimin e saj dhe dukurinë emigratore

Asgjë! Askush n’Evropë nuk mund të thotë se ka zgjidhje ideale e funksionale në të njëjtën kohë. Deri sa Evropa nuk do të ketë një zgjidhje të pranuar nga të gjithë – edhe në zbatimet e përditëshme – kjo do të mbetet një histori luftërash e lojrash politike të Shteteve antarë”.

A keni patur kundërveprime, qoftë edhe jo zyrtare nga PSE

“Jo, asnjë kundërveprim”.

Duket se keni një marrëdhënie të veçantë me disa kryeministra të Italisë si Renzi e Meloni. Më pak me të tjerë, për shëmbull me Draghin. Pse kështu?

“Gaboheni, por nuk është faji i juaj: Draghi ka fatin të jetojë pa social, e kështu juve nuk keni patur mundësinë të dini se edhe marrëdhënia ime me të është e veçantë.  Për të qënë të qartë: njëri nga privilegjet më të mëdha që kam patur ka qënë kur Mario më ka kërkuar t’i drejtohesha atij me emër. Ai është një monument i gjallë”.

Mbas kaqë zhurme jeni ende i bindur në këtë marrëveshje me Italinë?

“Zhurma” si këto , siç me të drejtë i quani ju, nuk më shqetësojnë aspak”

“Corriere della Sera”, 11nëndor 2023, Përktheu Eugjen Merlika

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com