Ekzistenca e SPAK në dyshim pas mandatit 9-vjeçar? Ministri i Drejtësisë: Do të presim rezultatet

Qeveria nuk e përkrah kërkesën e SPAK-ut për një mandat tjetër 9 vjeçar të prokurorëve të SPAK-ut. Të paktën jo në këtë moment dhe jo me ndryshimet e pritshme ligjore.

Qendrimi u mbajt nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në emisionin “Pa censurë”, në RTSH. Ai e lidhi mandatin 9 vjeçar të prokurorëve të SPAK-ut me mandatin e vetë Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. “Çështja e zgjatjes së mandatit kushtetues të strukturës, sepse kushtetuta thotë se SPAK-u e ka mandatin 9 vjet, mendoj që është ende herët të hapet si diskutim,” tha zoti Manja gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço, e cila e pyeti Ministrin e Drejtësisë, nëse rimandatimi i prokurorëve do të diskutohet, kur të vendoset nëse SPAK do të ekzistojë apo jo pas vitit të nëntë të funksionimit të tij.

Përgjigja e tij ishte e qartë.

Padiskutim që duhet pritur produktiviteti i kësaj strukture. Duhet pritur një analizë e saktë dhe konkrete ku jemi ne pas 9 vitesh me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në çfarë stadi është Shqipëria, në çfarë stadi janë institucionet shqiptare dhe, atëherë pa diskutim, që mes politikës, do të shtrohet edhe kjo çështje,” u shpreh zoti Manja. Ministri i Drejtësisë mbështeti kërkesën tjetër të prokurorëve të SPAK-ut, që nuk prek Kushtetutën, për qartësimin e pozicionit të tyre në sistemin e drejtësisë pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar.

PJESË NGA INTERVISTA E MINISTRIT TË DREJTËSISË PËR EMISIONIN “PA CENSURË”

Elona Meço: Ka një propozim nga kreu i SPAK-ut për përsëritjen e mandatit të prokurorëve të SPAK-ut. Ky propzim nuk është i përfshirë në draftin ligjor që po përpunohet në Kuvend, por doja të dija mendimin tuaj si Ministër i Drejtësisë, jeni ok ju me këtë?

Ulsi Manja: Është e vërtetë që ka një paketë propozimesh për ndryshime në ligjet e reformës në drejtësi, që gjendet në Kuvend prej gati 2 vitesh dhe që pritet të merret vlerësimi në Bruksel. Këto ndryshime i kanë propozuar vetë organet e drejtësisë, në mënyrë që të përmirësohet puna. Edhe SPAK-u ka propozuar disa ndryshime tek ligji organik për të sqaruar statusin e tyre pas mbarimit të mandatit 9 vjeçar në strukturën e posaçme.

Elona Meço: Po, kjo po zgjidhet në ndryshimet e reja ligjore, por ka një kërkesë direkte të kreut të SPAK për përsëritjen e mandatit 9 vjeçar të prokurorëve. S’mund t’ju ketë shpëtuar një gjë kaq e rëndësishme.

Ulsi Manja: Unë nuk e kam lexuar që kërkesa e tyre ka të bëjë me zgjatjen e mandatit kushtetues të strukturës, sepse, me aq sa jam unë në dijeni, çështja e mandatit të strukturës është çështje e vullentit të parlamentit. Por ata kanë kërkuar të qartësohet pozicioni i tyre pas mbarimit të mandatit 9 vjeçar. Sigurisht, kanë dhënë edhe mendimin që të kenë të drejtën e rizgjedhjes brenda atij mandati që do të ketë prokuroria. Por, edhe nëse nuk është mundësia e rizgjedhjes, kërkojnë të qartësohet pozicioni i tyre pas mbarimit të mandatit.

Elona Meço: A duhet të kenë një mandat tjetër 9 vjeçar prokurorët e SPAK-ut, sipas opinionit tuaj nga pozicioni i juristit dhe i Ministrit të Drejtësisë?

Ulsi Manja: Çështja e zgjatjes së mandatit kushtetues të strukturës, sepse kushtetuta thotë se SPAK-u e ka mandatin 9 vjet, mendoj që është ende herët të hapet si diskutim.

Elona Meço: Herët nuk është, sepse ka kaluar pothuajse gjysma e mandatit.

Ulsi Manja: Në dhjetor të 2019-ës ka nisur struktura, janë më shumë se 4 vite për ta ushtruar dhe duhet parë produkti i kësaj strukture, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sepse kjo shkon në përputhje dhe me vizionin që kemi ne.

Elona Meço: Pra, ju thoni që duhet qartësuar fillimisht, nëse SPAK-u do të ekzistojë pas vitit të 9-të dhe, më pas, të vendoset për mandatin e prokurorëve?

Ulsi Manja: Padiskutim që duhet pritur produktiviteti i kësaj strukture. Duhet pritur një analizë e saktë dhe konkrete ku jemi ne pas 9 vitesh me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në çfarë stadi është Shqipëria, në çfarë stadi janë institucionet shqiptare dhe, atëherë pa diskutim, që mes politikës, do të shtrohet edhe kjo çështje. Mendoj që sot duhet të qartësohet çështja e statusit të tyre, garancitë që duhet t’u japë ligji për të vazhduar funksionet në pavarësi të plotë për misionin që kanë marrë përsipër.

Gazetare: Elona Meço

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *