“Edukatorja nxit fëmijët ta dhunojnë”, keqtrajtimi i 5-vjeçarit autik në kopsht, reagon bashkia: Fëmija ka sje

Duke qenë se institucionet e arsimit para fillor janë në varësi të institucioneve lokale, bashkia e Elbasanit ka reaguar ndaj rastit të edukatores që po hetohet për keqtrajtimin e një fëmijë me autizëm.

Mëherët policia bëri me dije se 57-vjeçarja me profesion edukatore, po procedohet në gjendje të lirë pas akuzave se ajo ka dhunuar një 5-vjeçar.

Bashkia e Elbasanit thekson se edukatorja është pezulluar nga detyra dhe sipas dëshmive, ajo u ka thënë fëmijëve të tjerë që të reagojnë fizikisht ndaj fëmijës që shpesh ka sjellje të dhunshme.

Reagimi i plotë

Lidhur me njoftimin e bërë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit për hetimin në gjendje të lirë të një edukatoreje në një nga kopshtet publike të qytetit bëjmë me dije se:
Rasti është referuar nga prindërit në 26 tetor pasdite, kur sipas tyre, fëmijët pretendojnë se edukatorja i ka nxitur të reagojnë ndaj 5-vjeçarit autik, i cili herë herë shfaq hiperaktivitet dhe sjellje të dhunshme. Menjëherë në datën 27 tetor (e premte) prindërit janë mbledhur nga drejtoria e kopshtit së bashku me përfaqësues të sektorit të arsimit parashkollor në Bashkinë e Elbasanit për të diskutuar rastin.
Menjëherë të hënën, në datë 30 tetor ndaj edukatores është marrë masa e pezullimit deri në zbardhjen e plotë të asaj çfarë ka ndodhur në kopsht.
Më pas një grup pune i përbërë nga psikologë, punonjës socialë, përfaqësues të sektorit të arsimit parashkollor në bashki, sektori i mbrojtjes se fëmijëve, përfaqësues të ZVA dhe përfaqësues të policisë është ngritur për të hetuar rastin. Duke qenë se fëmija ka problematika të spektrit autik rasti kërkon kujdes të veçantë dhe mbikëqyrje të psikologëve.
Ndërkohë edukatorja vijon të jetë e pezulluar deri në sqarimin e situatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *