Deputeti që po trondit Sllovakinë, heq flamurin e BE-së dhe zëvendëson foton e presidentes me atë të Che Guevara

Nënkryetari i ri i Parlamentit sllovak vendosi të bëjë ndryshime në dekorimin e zyrës së tij , madje duke e paraqitur “rinovimin” në një video të publikuar në Telegram.

Në videon e titulluar “Pastrimi i vjeshtës”, Lubos Blaha, i cili hyri për herë të parë në zyrën e tij të re, njoftoi se duhen bërë disa rregullime të vogla, pasi Sllovakia është e para, siç tha ai.

Si i tillë, ai zëvendësoi flamurin e BE-së, ndërsa hoqi portretin e presidentes së vendit, Zuzana Caputova, dhe e zëvendësoi me imazhin e Ernesto Che Guevara, megjithëse fillimisht nuk ishte e dukshme lidhja e tij me Sllovakinë.

Sigurisht që largimi i fotos së presidentes nuk ndodhi si rrufe, pasi Blaha i ka shfaqur ndjenjat e tij (aspak) fisnike, pasi prej kohësh e quan “agjente amerikane”. Ai i përket partisë populiste Smer-SD të kryeministrit Robert Fitzo, i cili u zgjodh me një premtim për të ndaluar ndihmën ushtarake për Ukrainën.

Videoja tërhoqi zemërimin e Lëvizjes Demokristiane (KDH), e cila kërkon largimin e tij nga posti i nënkryetarit të Kuvendit dhe po mbledh nënshkrime.

“KDH dënon ashpër veprimet e Lubos Blaha, kur ai hoqi flamurin e Bashkimit Evropian nga zyra e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sllovake dhe zëvendësoi portretin e presidentes me portretin e një lideri të huaj të komunizmit më radikal, Che Guevara” , tha kreu i partisë, duke shtuar se KDH luftoi kundër komunizmit dhe mbrojti anëtarësimin në BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Lubos Blaha kaloi në kundërsulm dhe akuzoi Lëvizjen Demokristiane se urren Sllovakinë. “E kuptoj se janë të indinjuar që kam ngritur flamurin e Republikës Sllovake në zyrën time, sepse ata e urrejnë Sllovakinë. As Kushtetutën nuk e kanë votuar”, ka shkruar ai në Telegram.

Nënkryetari i Kuvendit argumentoi se nuk ka asnjë detyrim të mbajë në zyrën e tij flamurin e Bashkimit Evropian apo foton e Zuzana Caputova./Liberale.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com