“Buzagaz nëpër Shqipërinë e rrethuar me tela”, Pëllumb Kulla në COD me botimet e fundit nga UET Press dhe Toen

“Buzagaz nëpër Shqipërinë e rrethuar me tela”. Kështu mund të titullohet me plot gojën veprimtaria letrare e Mjeshtrit të Madh Pëllumb Kulla, e ribotuar nga UET Press dhe Toena, e cila u promovua të hënën në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog, COD.

Veprimtaria e Kullës dhe rrugëtimi i tij i gjatë që nga koha e diktaturës u diskutua nga një panel i moderuar nga Dekania Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET, Prof. Assoc. Dr. Belina Budini, me praninë e shumë personaliteteve të kulturës, medias dhe politikës, ku nuk mungoi as kryeministri Edi Rama.

Budini theksoi se veprimtaria letrare e Kullës është e rëndësishme për aspektet hulmutuese, prandaj edhe është përfshirë në kurrikulat e universitetit.

“Me botimet dhe ribotimet, kemi dashur që ta riprezantojmë këtë autor me gjeneratat e reja dhe ta sjellim në një mënyrë që të jetë e vlefshme edhe në aspektet studimore dhe të kërkimit, që ne i kemi të rëndësishme në universitet, ndaj ai është bërë pjesë edhe në kurrikulat tona te Artet dhe Komunikimi,” – veçoi Prof. Assoc. Dr. Budini duke theksuar se figura e Kullës shkon përtej komedisë, satirës dhe letërsisë duke marrë tiparet e një ndikuesi të fortë në jetën sociale, kulturore, por edhe politike të Shqipërisë.

“Ky është identikiti i ri që unë gjeta te ju [Zoti Kulla], ndikuesi në mjediset e artit, sportit, politikës, publicistikës, gazetarëve padyshim dhe besoj që është një përzierje e pazakonshme e influencës që ka pena e tij në shumë fusha,” – vijoi dekania.

UET Press ka botuar dhe ribotuar vepra të ndryshme të Kullës si “Luftë pa fund” (2013), “Diktatura e parasë” (2020), “Unë grindaveci” (2021), apo dhe “Lejlekët nuk vijnë më” (2023), ndërsa “Toena” botoi së fundmi “Lamtumirë Komandant” (2023) dhe “Sallaku, ose si qeshnim nën diktaturë” (2023).

Drejtuesja e Shtëpisë Botuese Toena, Irena Toçi, Përgjegjësi i Departamentit të Arteve të Aplikuara në UET, Dr. Ermir Nika, i cili ka bërë parathënien e librit, dhe regjisori Leonard Bombaj treguan me mbresa personale mbi gjenialitetin gjuhësor, artistik dhe njerëzor që karakterizon veprën e Pëllumb Kullës.

Për Irena Toçin, personaliteti dhe veprimtaria e Pëllumb Kullës ka dalluar në shumë dimensione artistike dhe humane, në prapaskenë, skenë, apo dhe me cilindo institucion, trupa aktoriale, redaksi televizive, apo dhe angazhime artistike duke merituar edhe vlerësimin Mjeshtër i Madh (2003) nga Presidenti Alfred Moisiu.

“Nuk ka pasur vetëm talent Pëllumb Kulla, nuk ka pasur përgjegjësi vetëm me grupin e aktorëve apo shoqërisë së ngushtë që ka pasur, por ka pasur përgjegjësi ndaj gjithë shoqërisë sonë dhe ne jemi mirënjohës si atëherë, edhe tani,” – theksoi Znj. Toçi duke e falënderuar edhe në emër të botuesve.

Për Dr. Ermir Nikën me stilin gjuhësor të të shkruarit dhe fuqinë e fjalëve të përzgjedhura Pëllumb Kulla ka mbetur në histori aq sa të marrë shpesh trajta universale të përshkrimeve të tij për diktaturën. Ai thotë se për këtë ribotimet nuk i kanë ndryshuar asgjë. Në rastin e “Lamtumirë Komandant”, Nika thotë se është një vepër që i kushtohet vdekjes së diktatorit dhe në të Kulla nuk mban qëndrime.

“Një vepër që e zgjeron spektrin e këndvështrimit dhe trajtesës, për të parë se si është fundi i çdo diktature, nganjëherë mua më ngjan se bëhet fjalë për Hugo Chaves, Fidel Kastro apo diktatorë të tjerë, pra mendimi universalizohet dhe duket se perimetri i veprës kap gati gjithë globin,” – veçoi Nika në analizën e vet.

Regjisori Leonard Bombaj kujtoi takime të ndryshme me Kullën, studiues dhe artistë të tjerë duke vlerësuar vitalitetin shpirtëror të tij dhe arsyet se përse duhet t’i kushtohet një film biografik.

“Po Pëllumb Kulla na ka freskuar vapën e diktaturës, o burazer,” – kujtoi Bombaj një shprehje të regjisorit Petrit Ruka kushtuar Kullës.

“Në këtë film që ne synojmë, duam t’i tregojmë [Pëllumb Kullës] historinë, identitetin, dinjitetin e një heroi që mbijetoi, fali dhe bashkëjetoi, por që e kemi edhe dëshmitar të gjallë, gjë që e bën të rrallë si histori,” –  vijoi më tej regjisori.

Duke vlerësuar komentet, mbështetjen për ribotimet dhe organizimin e promovimit, shkrimtari Pëllumb Kulla u shpreh i emocionuar se e hëna ishte një ditë e lumtur, refleksioni dhe falënderimi në “sallën e pushtetit” siç e theksoi ai sallën e COD te Kryeministria.

“Ju falënderoj të gjithëve ju, me të cilët kemi jetuar bashkë, kemi vuajtur bashkë, jemi gëzuar bashkë dhe sot mblidhemi këtu dhe më vlerësoni mua,” – u shpreh me modesti autori, sipas së cilit për suksesin nuk ndikon vetëm merita, por edhe fati, teksa më tej ai kaloi me humor nismën e Bombajt për t’i kushtuar një film.

“Mirë thonë që zakonisht filmat e njerëzve të vdekur kanë më shumë sukses, ky po më ndjell mua, çfarë po më ndjell, s’e marr vesh,” – tregoi me humor shkrimtari Kulla.

I lindur më 10 janar 1940 në fshatin Zëmblak të rrethit të Korçës, Kulla dalloi më veprimtari të pasur kulturore gjatë dhe pas diktaturës duke zotëruar një natyrë poliedrike me përkthime, shkrime tregimesh, romanesh, skeçesh, dramash, filmash, etj. Për këtë ai vlerësohet si një gur i çmuar i kulturës shqiptare, i cili ia vlen të studiohet gjerë.

Kritikët vlerësojnë te Kulla stilin lakonik, fuqinë e sintezës dhe metaforës, të cilat i japin atij tiparet e një Mark Twain-i të letërsisë shqipe. Ai ka shkruar mbi 300 skeçe dhe komedi, dhjetëra monologje dhe shfaqje teatrale, televizive dhe filmike. Gjatë viteve 90-të ka kontribuuar edhe në diplomacinë shqiptare në misionet në Gjermani dhe OKB. Stili, trashëgimia publicistike dhe kulturore e Kullës bën të thuhet se është ndër të paktët artistë shqiptarë të cilët jetën e kanë vepër dhe veprat i kanë jetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *