“Bombën gjykatësit mund t’ia ketë vënë i liruari nga amnistia”, Manja ironi me Alibeajn: Kur s’u kënaqe që të bëri Berisha ministër, s’ke si kënaqesh më…

Enkelejd Alibeaj, në interpelancën me Ulsi Manjën për Amnistinë Penale, deklaroi se, sipas mediave të ndryshme, bombën gjykatësit në Shkodër mund t’ia ketë vënë një i liruar nga kjo amnisti.

Duke iu drejtuar ministrit të Drejtësisë, Alibeaj tha: “Paske liruar 8, 18, 26, 46 persona të dënuar nga GJKKO… Ndryshe nga ç’betoheshe një muaj më parë. Së dyti, e patë që nuk mbajti asgjë për vete. Tha se e votuat ju Amnistinë Penale, e mbani për vete! E keni peshqesh nga bashkimi një muaj më parë. Ulsi, nëse do të bëhej në 2017 kjo amnisti, ti nuk do e votoje se do ishe te burgu 313. E mban mend dosjen “184” të Dibrës? Gënjeshtra e amnistisë u shkëput si maska nga fytyra e Ulsiut dhe atyre që e votuan, SPAK demaskoi qeveritarët sepse 100 të dënuar nga GJKKO përfituan”.

Më tej, Alibeaj lëshoi “bombën”: “I kërkuat të dënuarve dhe atyre nën hetim që mos të rrëfehen. Kjo ishte porosi, se mbrojtja politike është e sigurt. Pëshpërima ishte e thjesht: mbajeni gojën mbyllur se pak kohë burg do të bëni. Amnistia e maskuar si akt faljeje dhe mëshire është një shfaqje hipokrizie ndaj partnerëve. Nuk e di sa e vërtetë është ajo që është raportuar se i dyshuari për vendosjen e tritolit në shtëpinë e gjyqtarit të Shkodrës mund të jetë liruar nga amnistia. Ata u liruan para kohe nga ndëshkimi i ligjit, pa iu dhënë koha për të reflektuar”, theksoi Alibeaj.

Ndërkohë ministri Manja ironizoi Alibeajn duke u shprehur se: Ti mbete i pakënaqur. Kur s’u kënaqe që të bëri Berisha ministër Drejtësie s’ke si kënaqesh më në jetë.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në interpelancën që u kërkua me të në lidhje me Amnistinë Penale, e cila hyri në fuqi pak javë më parë, deklaroi se nuk janë liruar persona të arrestuar për korrupsion.

“Amnistia është kompetencë e Kuvendit, jo e Këshillit të Ministrave apo ministrave të Drejtësisë. Ministri mban përgjegjësi politike vetëm për draftin që dorëzon, jo për ligjin që miratohet nga Kuvendi. Ata që kanë përfituar nga amnistia dhe janë dënuar nga GJKKO për korrupsion janë shtetas të zakonshëm ose nëpunës. Asnjë prej tyre nuk është simbol korrupsioni”, theksoi Manja.

Manja shtoi se koha mesatare e qëndrimit në paraburgim është 8,7 muaj, ndërsa vendet evropiane e kanë 5,5 muaj: “Ndërsa kostoja financiare e jona është 35,5 euro në ditë për të dënuar”.

/a.r

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *