Basti i Erionit dhe Antiapologjia e Veliajt që shkon bashkë me erën

Nga Lorenc Vangjeli

Nëse ka një ndeshje me rezultat të paracaktuar në Tiranë këto ditë, ai sport quhet hedhje gurësh mbi Erion Veliajn. Kryetari i bashkisë më të madhe në vend ka marrë pa asnjë dyshim identikitin e viktimës perfekte, ku të gjithë mund të shfryjnë zemëratë mbi të dhe të ndërtojnë me gurët që e sulmojnë, piedestale vetjake morali, suksesi a virgjërie. Madje mund të justifikojnë edhe humbje të njëpasnjëshme politike përballë partisë së tij dhe atij vetë duke e përdorur si alibi historinë dramatike të drejtorëve të tij të arrestuar. Socialistë të heshtur që fërkojnë duart nga shkarja e këmbës së Veliajt dhe demokratë të zhurmshëm që flirtojnë fshehurazi dhe hapur me atë kategori socialistësh, gazetarë të rëndësishëm që gjithmonë kanë qenë kundër tij, fillimisht për arsye krejt estetike e një pjesë e tyre, edhe për interesa e ekuilibre interesash më shumë se meskine, janë në garë për koeificientin e bastit kundër tij: Erion Veliaj është shënjestra perfekte në këto ditë dhe të tjera në vijim jo vetëm për dritën që SPAK-u hodhi në hapësira të zymta të veprimtarisë së bashkisë, por kryesisht për arsye të tjera për të cilat përgjithësisht ka heshtje totale. Drejtues i bashkisë së Tiranës për tre mandate, një ofertë gjithmonë e hapur për majat e hierarkisë së partisë së tij që kërkon një mandat të katërt qeverisës, me një zinxhir drejtorësh nën arrest, të dyshuar si pronarë të një skeme banale vjedhjeje, duket se çdo nëmë tipike e dembelhanes së madhe të qytetit, e ka gjetur viktimën nga plasja e tëmthit të të cilit, mund të mbërrihet tek Edi Rama. Kjo është arsyeja se pse gardhi përballë Veliajt është kompozuar në mënyrë paradoksale me politikanë të majtë e të djathtë e sulmojnë si rival, me mediat më të rëndësishme që e shohin atë si ekuilibrist me faulle të së shkuarës ndaj saj, me pronarët mediatikë që e konsiderojnë si faktor që duhet pasur nën kontroll dhe me operatorë të rëndësishëm ekonomikë që e trajtojnë si derën ku herët a vonë ju duhet të trokasin.

Vetë Erion Veliaj duket ende i paqartë në leximin e gjithë listës së armiqve të tij dhe ngjan se nuk ka ndër mend t’i thërrasë në apel për t’u prezantuar publikisht me ta. “Të hedhë gurin e parë vetëm ai që nuk ka bërë mëkate”, luti e paralajmëroi të hënën tek Grida Duma ai me fjalët e Jezu Krishtit, i bindur se në mjedisin e helmuar shqiptar, ëngjëjt që mund të marrin gurët në dorë, janë thjesht një specie që nuk ekziston. Të tentosh të dëgjosh apologjinë e tij, nën një turmë të eksituar politikisht dhe paragjykuese thelbësisht, është thjesht një mision i pamundur, por nga ana tjetër as heshtja nuk është alternativë sepse do të lexohej si dobësi e tij. Turma ka gojë të mallkojë, por jo veshë të dëgjojë. Tek suksesi i individit, zakonisht ajo projekton hakmarrje për dështime vetjake dhe ky nuk është trill e tekë, por një shpjegim për gjithë erërat e ngritura mbi të. Shpesh joproporcionale dhe akoma më shpesh, edhe joracionale. Nëse do të ishte ndryshe, thelbi i asaj çka Veliaj po mundohet të thotë në këto ditë të trazuara për të, mund të quheshin si mbrojtje për manual klasik të politikës. Dobësia thelbësore e saj vjen nga fakti që ajo është kundër kulturës e mendësisë noprane dhe sovjetike që i jep jep një epërsi të padurueshme pushtetit politik mbi atë të drejtësisë. Siç ka qenë gjithmonë deri më tani.

E skicuar dhe thjeshtëzuar në maksimum linja e mbrojtjes së Veliajt nis me ndjesën dhe me relativizimin e asaj që ka ndodhur. Disa drejtorë të tij kanë ngritur një skemë për përfitime vetjake duke shfrytëzuar pushtetin e zyrës. Suksesi i tyre, që ai vetë e nënvizon në mënyrë njerëzore, edhe pse e di edhe vetë, nuk është liçencë për të shkelur ligjin. Ajo mund të jetë rrethanë lehtësuese e fajësisë, por jo pafajësia vetë. Dhe mbi këtë bazë, Veliaj nuk bën asgjë tjetër veçse ecën në rrugën që ka shtruar vetë Edi Rama në të njëjtat rrethana: përgjegjësia është individuale! Partia, bashkia, individi me pushtet dhe “punëdhënës” nuk është avokat i individit dhe se kur punën e merr në dorë drejtësia, politika duhet të zgjedhë të heshtë.

Kjo linjë mbrojtjeje, kaq harbutërisht e thjeshtë, kaq lehtësisht racionale, por jo e pranueshme për një pjesë të madhe të opinionit publik dhe shpura e djajve politikë, bëjnë në fakt thelbin e ndarjes së dy botëve të vogla në Tiranë, dy filozofive që janë ndeshur egër dhe paralajmërojnë edhe më shumë egërsi nesër. Ndeshjen mes pozitës dhe opozitës. Dhe që për paradoks, nesër do të jetë gjithashtu kali i betejës së ardhshme elektorale.

Një politikani, ndryshe nga sa sugjeron tradita më e shpifur e politikëbërjes në Tiranë, nuk mund t’i kërkohet të komentojë një dosje penale. Maksimumi që ai mund të bëjë është të vetëvendoset pa asnjë mëdyshje dhe pa asnjë dilemë në funksion të drejtësisë. E mirë apo e keqe, precize si instrument apo e instrumentalizuar me qëllime të tjera, nuk ka zgjedhje tjetër: cilido që thirret në apel nga drejtësia duhet të shkojë të ndeshet me të për hesap të vet duke e pranuar ashtu siç është pa asnjë kusht.

Ajo që po ndodh në bashkinë e Tiranës nuk është “lajm i kronikës së zezë”, me personazhe që dyshohet se kanë vjedhur, pavarësisht statusit të tyre. E parë si e tillë, ky do të ishte një gabim që ndikon në gjykimin e të tërës. Kjo është një histori politike. Erion Veliaj është për momentin i vetmi politikan në Tiranë që mund të futet në mes të treshës tradicionale të politikanëve veteranë, Berisha, Rama e Meta. Ai si dhe tre ish-kryeministrat janë të vetmit emra politikë që janë të aftë të ndajnë dyshaz e me thikë opinionin publik: ata mund t’i duan apo t’i urrejnë, t’i votojnë apo t’i refuzojnë, por në asnjë rast ata nuk lenë asnjë qytetar indiferent ndaj vetes. Basha, për shembull, edhe pse dy herë kandidat për kryeminstër, nuk arriti dot të ngjitet në këtë monopat, kurse Nano, fjala vjen, edhe pse disa herë kryeministër, nuk mundi t’i mbijetojë harresëns që sjell mungesa e pushtetit. Ndonjë emër tjetër domethënës në të majtë, që me pak më shumë fat socialist mund t’i bashkohet këtij grupi, mund ta bëjë më interesant këtë grup, marrëdhëniet mes individëve të të cilit, kanë kushtëzuar fatin e Shqipërisë në këto tre dekada e kusur. Vetë Veliaj, në pëlqyeshmërinë e publikut, i vetëm është më lart se shuma e dy ish-kryeministrave kundërshtarë dhe mundet vetëm nga Rama që ai e thërret shkurt Edi. Kjo është optika më serioze për të parë se çfarë po ndodh, për të mos detyruar logjikën të bredhë në labirinte detajesh me emra drejtorësh në arrest, para tenderash apo skema grabitjeje. Eshtë shumë më shumë se kaq. Eshtë pamja e Shqipërisë së nesërme që po sheh sesi një pushtet i tretë, po kontrollon dhe ekuilibron dy pushtetet tradicionale në vend.

Vetëm Erion Veliaj mund të verë pa asnjë dilemë bast për veten. Gjithkush tjetër është i lirë të verë në dyshim fjalën e tij. Ta kundërshtojë apo ta paragjykojë. Ta shpallë fajtor apo ta aministojë. T’i japë nesër votën apo ta refuzojë. Por asnjë nga ky rresht dilemash, nuk mund të ndryshojë faktin se ai, nga halli apo malli, nga bindja apo i shtrënguar të bindet, njëlloj si gjithë partia e tij, po ndryshojnë një kulturë të pistë në raportet e pushtetit politik me atë të drejtësisë. Gjithë të tjerët, miqtë që ai mund t’i numërojë si armiq të fshehtë dhe armiqtë që i bëjnë më shumë dobi sesa vetë miqtë e tij, janë marinarë të stilit të vjetër. Nga ai lloj udhëtarësh deti që i binden zakonit për të bërë sh..rrën mbi kuvertën e anijes dhe përballë erës. Në këtë kuptim, kundërshtarët e tij në politikë, do të shohin që paradoksalisht, në zgjedhjet e rradhës, do të mund të numërojnë si shkak të një humbjeje të katërt edhe arrogancën naive për t’u derdhur përballë furtunës së pushtetit të ri që ka ardhur në Tiranë. Atij pushteti, drejtësinë, të cilin e kanë votuar edhe vetë, por që ka atësi të shumëfishtë dhe çertifikatë të huaj pronësie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *