Nga 2015 deri më 2022, bizneset dhe buxheti i shtetit kanë paguar mbi 100 milionë euro për koncesionin e skanimit në dogana, me qëllim zbulimin e kontrabandës dhe luftën ndaj korrupsionit.
Kanë kaluar më shumë se 7 vite nga zbatimi i kontratës, ndërsa kompania koncesionare ka përfituar rreth 105 milionë euro pagesa nga buxheti i shtetit.
Cili është rezultati?
Sipas shifrave zyrtare shkeljet e zbuluara janë vetëm 136 mijë euro ose 0.1% e vlerës së kontratës.
Në një auditim të posaçëm për eficiencën e koncesionit të skanimit që menaxhohet S2 Albania, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) gjeti se nga viti 2015 deri në fund të vitit 2022, buxheti i shtetit ka evidentuar se vlera e shkeljeve të zbuluara nga skanimi janë vetëm 14 milionë lekë ose 136 mijë euro.
Kontrata Koncesionare ka një kohëzgjatje prej 15 vitesh. Koncesioni i skanimit për të 15 vitet e kontratës llogarit të ardhura mbi 260 milionë euro.
“Objekti i këtij projekti është shmangia e nën raportimeve të deklaratave doganore për efekt të keq klasifikimeve të kodeve, të mallrave, për marrjen e detyrimeve doganore ekzaktësisht për produkte që zhdoganohen, por gjithashtu përforcimin e sigurisë kombëtare, sigurimin e kufijve nga parandalimi i kontrabandës, kryesisht të produkteve të akcizës, të lëndëve narkotike, të produkteve të dëmshme, të armëve, të municioneve, etj, – vë në dukje KLSH.
Përveç pagesave direkte, sipas auditimit të KLSH-së, kostot e koncesionit të skanimit janë edhe më të larta, pasi qeveria paguan koordinatorë, menaxherë dhe auditues në emër të shtetit për të monitoruar kontratën, detyra që nuk janë përmbushur.
KLSH vëren se, raportet e shoqërisë koncesionare dhe DPD nuk paraqesin informacion mbi “gjetjet e skanerit”.
Nga auditimi u konstatua se referuar procedurave aktuale, nuk ekziston asnjë mundësi që të identifikohen gabime të skanerit, në kushtet kur nuk kryhet një verifikim vërtetësisë së tij, pasi kontrolle fiziket nga Autoriteti Doganor kryhen vetëm në skanimet e dyshuara për pasaktësi (të verdha dhe të kuqe).
Në Raportin Vjetor të dorëzuar drejt MFE për ecurinë e zbatimit të kontratës koncesionare, konstatohet se nuk bëhet një ndarje mes rasteve të kapura të paligjshme nga kontrolli fizik pasi rezultati i skanimit të ketë dalë i dyshimtë (i verdhë ose i kuq) dhe rasteve të kapura nga kontrolli fizik i iniciuar nga palë të treta (institucione ligjzbatuese) pas dyshimeve të tyre edhe pse imazhi i skanimit mund të jetë identifikuar si i rregullt nga analiza e imazhit.
KLSH ka verifikuar mungesë sigurie në kryqëzimin e të dhënave lidhur me numrin e skanimeve dhe rezultateve të tyre si dhe informacione të përcjella me vonesë, të cilat potencialisht mund të rrezikojnë përmbushjen e qëllimit të ofrimit të shërbimit të skanimit.
E thënë ndryshe, nëse nuk ka përgjegjësi penale, a mban kush përgjegjësi morale për dëmin rreth 250 milionë euro që i është shkaktuar buxhetit të shtetit.