Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kritikoi sot homologun e tij kanadez Justin Trudeau që i bëri thirrje Izraelit të ndalojë vrasjen e grave dhe fëmijëve në Rripin e Gazës, ndërsa ripërsëriti thirrjen e tij drejtuar komunitetit ndërkombëtar për të mbështetur luftën e vendit të tij kundër Hamasit.
“Nuk është Izraeli ai që synon qëllimisht civilët, por Hamasi që preu kokën, dogji dhe theri civilët në një nga mizoritë më të këqija të kryera kundër hebrenjve që nga Holokausti”, i shkroi Netanyahu në X Trudeau më herët sot në mëngjes. “Forcat e qytetërimit duhet të mbështesin Izraelin për të mposhtur brutalitetin e Hamasit”, shtoi ai.
Të martën, kryeministri kanadez i bëri thirrje qeverisë izraelite që të “ushtrojë përmbajtjen maksimale. Njerëzit po shikojnë në TV, në rrjetet sociale, po dëgjojmë dëshmitë e mjekëve, familjarëve, të mbijetuarve, fëmijëve që kanë humbur prindërit. Bota është dëshmitare e vrasjeve të grave, fëmijëve, foshnjave. Kjo duhet të ndalet ”, theksoi Trudeau gjatë një konference për shtyp nga British Columbia.
“Çmimi i drejtësisë nuk mund të jetë vuajtja e vazhdueshme e të gjithë civilëve palestinezë,” shtoi ai. “Të gjitha luftërat kanë rregulla. Të gjitha jetët e pafajshme kanë të njëjtën vlerë. izraelite dhe palestineze”, theksoi ai.
Në të njëjtën kohë, Trudeau i kërkoi Hamasit të ndalojë përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore dhe të lirojë të gjithë pengjet që po mban ” menjëherë dhe pa kushte”.
“Ndërsa Izraeli po bën gjithçka për të mbrojtur civilët nga dëmtimi, Hamasi po bën gjithçka që mundet për t’i mbajtur ata pranë dëmit ,” u ankua Netanyahu. “Izraeli u ofron civilëve në Gaza korridore humanitare dhe zona të sigurta, Hamasi i pengon ata të largohen me armë”, shtoi ai në postimin e tij.
“Hamasi, jo Izraeli, duhet të mbahet përgjegjës për kryerjen e një krimi të dyfishtë lufte: shënjestrimin e civilëve ndërsa fshihen pas civilëve”, tha kryeministri izraelit.
Përplasja me Emmanuel Macron
Presidenti francez Emmanuel Macron tha të premten e kaluar se nuk kishte “asnjë justifikim” për bombardimin e Izraelit ndaj “këtyre foshnjave, këtyre zonjave, këtyre të moshuarve” në luftën kundër Hamasit dhe përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim në Gaza.
“Pra, nuk ka asnjë arsye për këtë dhe nuk ka legjitimitet. Kështu që ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalojë”, tha Macron për BBC, duke shprehur shpresën se liderët e tjerë perëndimorë do t’i bashkohen thirrjes së tij.
Komentet e Macron u pritën me reagimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu, i cili tha se Hamasi ishte fajtor për viktimat civile si rezultat i sulmit të tij shkatërrues në Izraelin jugor muajin e kaluar.
“Ndërsa Izraeli po bën gjithçka që të përmbahet nga dëmtimi i civilëve dhe u bën thirrje atyre që të largohen nga zonat e luftimit, Hamasi-ISIS po bën gjithçka për t’i parandaluar ata të largohen në zona të sigurta dhe po i përdor ato si mburoja njerëzore”, tha Netanyahu në një deklaratë nga zyra e tij, duke e krahasuar grupin terrorist që sundon Gazën me organizatën xhihadiste të Shtetit Islamik.
Netanyahu tha se Hamasi “po mban mizorisht pengjet tona – gratë, fëmijët dhe të moshuarit – në një krim kundër njerëzimit” dhe “përdor shkollat, xhamitë dhe spitalet si qendra komanduese të terrorit”./Liberale.al