Zgjidhet pasuesi i Ardi Veliut në kye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore

Florian Sulejmani do të jetë kreu i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Ai u zgjodh mes 5 kandidatëve për të zënë vendin e lënë bosh pas dorëheqjes së Ardi Veliut, 1 muaj më parë. Sulejmani zëvendëson Veliun, i cili e shkarkoi nga detyra sapo u emërua në krye të AMP-së.

Në atë kohë, Sulejmani mbante postin e drejtorit të Vettingut dhe prej aty më pas u emërua si shef seksioni në departamentin juridik në Policinë e Shtetit. Emërimi i drejtuesit të ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, për herë të parë u bë me konkurrim nga Ministria e Brendshme.

Në garë morën pjesë 26 emra, duke përfshirë ish-drejtues të policisë, nga Akademia e Sigurisë, drejtues rajonal të AMP-së, apo dhe drejtues aktual të Policisë së Shtetit. Pas verifikimit të dosjeve u zgjodhën 5 emra, të cilët ishin Indrit Hitaj, Florian Sulejmani, Ramadan Çaço, Xhavit Shala dhe Gentjan Shehaj.

Emri i Florian Sulejmanit iu propozua kryeministrit nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Sulejmani u prezantua të premten me punonjësit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Ministri Balla ka deklaruar se niveli i kandidatëve që aplikuan ishte i lartë dhe me ata që u përzgjodhën në listën e 5 të parëve tha se do t’i ftojë në takim për të vlerësuar forma bashkëpunimi me Ministrinë dhe AMP-në.

Balla u shpreh se Florian Sulejmani ka një eksperiencë pune të gjatë 18 vjeçare dhe ka kaluar me sukses procesin e vlerësimit kalimtar, si dhe ka eksperiencë dhe njohuri të gjera mbi procesin e vetting-ut të Policisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com