Italia pritet të ngrejë në Shqipëri, brenda pranverës, dy qendra për pritjen e migrantëve që nga Lindja e Mesme dhe veriu i Afrikës synojnë thuajse çdo ditë brigjet jugore të saj. Marrëveshja mes dy qeverive u firmos të hënën pasdite në Romë, në përfundim të një takimi mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrit Edi Rama. Qeveria italiane shpjegoi më pas se nuk bëhet fjalë për migrantët që mbërrijnë në tokën e saj por për atë kategori që rrezikohet gjatë lundrimit në det dhe shpëtohet nga anijet e ushtrisë apo Guardia di Finanza-s italine që patrullojnë në Mesdhe, apo dhe nga mjetet lundrues të organizatave humanitare. Po ashtu nga kjo marrëveshje janë të përjashtuar minorenët, gratë shtatzëna dhe subjektet vulnerabël.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama, zonja Meloni shpjegoi se “Shqipëria do t’i japë mundësi Italisë, që të përdorë disa zona të territorit shqiptar, në të cilat, Italia mund të realizojë, me shpenzimet e saj, dhe nën jurisdiksionin e saj, dy struktura ku mund të ngrihen dy qendra për të administruar migrantët e paligjshëm. Këto struktura – shtoi më tej kryeministrja italiane – mund të strehojnën 3 mijë vetë, të cilët do të qëndrojnë aty deri në përfundimin e përshpejtuar të procedurave për trajtimin e kërkesave për azil dhe sipas rastit edhe për qëllim riatdhesimi”. Qeveria italiane synon që falë procedurave të shpejta, ajo të mund të trajtojë në këto dy struktura deri në 36 mijë persona në vit.
Struktura e parë do të jetë në portin e Shëngjinit, ku do të ngrihet qendra pritjes, e cila do të shërbejë si një bazë për regjistrimin dhe marrjen e të dhënave për migrantët, ndërsa në Gjadër, do të ngrihet struktura e dytë, ku do të përfundojnë procedurat e tjera. Kjo qendër e dytë, siç deklaroi kryeministrja Meloni, do të jetë sipas modelit Qpr (Qendra për riatdhesim) të cilat janë ngritur thuajse në çdo krahinë të Italisë për të përballuar problemin e migrantëve.
Pala shqiptare, theksoi zonja Meloni do të bashkëpunojë sa i takon sigurisë dhe mbikqyrjen e jashtme të këture strukturave përmes forcave të saj të policisë.
Zonja Meloni u shpreh se “marrëveshja me Shqipërinë ka tre objektiva, që nga lufta kundër trafikut të qënieve njerëzore, parandalimi i flukseve të paligjshme migratore e pritjen vetëm të atyre që realisht përfitojnë nga e drejta e mbrojtjes ndërkombëtare”.
Kryeministri Edi Rama nuk hyri fare në detajet e marrëveshjes, por i mëshoi faktit se Shqipëria është borxhlije ndaj Italisë dhe se po e bënte këtë më së shumti si një shenjë mirënjohje për gjithë ndihmën e saj pas viteve ’90. “Ne nuk do të bënim këtë marrëveshje me asnjë vend tjetër apo shtet të BE-së , me gjithë respektin, sepse ka një ndryshim diferencë të madhe, me një ndryshim historik-kulturor dhe gjithashtu emocional që lidh Shqipërinë me Italinë dhe shqiptarët me italianët. Nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”.
Kryeministri shqiptar duket se kërkoi t’i paraprijë debateve politike në Itali për këtë marrëveshje, kur u shpreh se “nuk na takon ne të gjykojmë meritën politike të çfarëdo vendimi të marrë në këtë godinë, apo në institucione të tjera. Neve na takon të përgjigjemi se jemi këtu, kur mund të japim një dorë. Dhe është e qartë se të japësh një dorë në këtë rast, do të thotë për të ndihmuar dhe për të menaxhuar,me pak frymëmarrje më shumë, një situatë që është e vështirë për Italinë”.
Dhe në fakt në Itali, menjëherë, vërshuan notat kritike nga opozita, dhe hijet e dyshimit se me këtë marrëveshje Roma po synon të anashkalojë detyrimet ndërkombëtare, që lidhen kryesisht me të drejtën e azilit. /Voa/