Nga Frrok Çupi
Pasardhësi dhe ‘vrasësi’ i padronit- siç po e quajnë shumëkush ‘vrasës i babait politik’- foli të kundërtën e asaj që do të kishte thënë perandoresha e Persianëve qysh katër a pesë shekuj para Krishtit.
Më në fund Lulzim Basha, kryetar i PD, foli; foli dje. Kur po mbusheshin nëntë muaj qëkurse nuk kishte folur, të gjithë i drejtuan sytë andej nga ai, si njerëzit në shkretëtirë që presin shiun. Edhe Zarathustra kishte lidhje me hyjnitë qiellore.
Por shefi i Partisë më të madhe në opozitë i zhgënjeu të gjithë ata që prisnin. U shfaq si hyjnia perse Zarathustra, por tha të kundërtën.
Filozofi i ndritur Niçe e kishte krijuar Zarathustrën, ose e kishte zgjedhur mes hyjnive, si në një teatër të lashtë. Hyjnia do të zbriste në tokë mes njerëzish dhe do t’u kumtonte:
-Mos e prisni Zotin. Zoti ka vdekur. Mbinjeriu, mishërimi njerëzor i hyjnores, është pasardhësi i tij.
Zarathustra do të fliste që atëherë si të ishte këtu në Tiranë (jo në Teheran), zbritur fshehurazi në një rrugicë ku dikush (padroni) ka hipur në katin e tetë në një pullaz dhe del një herë në ditë për t’u hedhur ca grimca djathi atyre që përkulen atje poshtë e shikojnë çfarë po bie nga lart.
Pasardhësi dhe ‘vrasësi’ i padronit- siç po e quajnë shumëkush ‘vrasës i babait politik’- foli të kundërtën e asaj që do të kishte thënë perandoresha e Persianëve qysh katër a pesë shekuj para Krishtit.
Ajo zbriti e tha: ‘Mos e prisni zotin, zoti ka vdekur’, me qëllim që njerëzit të mos humbnin kohë. Ndërsa Lulzim Basha, kryetar i PD i tha ‘popullsisë’ së vet demokratike që të ndjekin- si vetë ai- rrugën e Sali Berishës, tashmë i kthyer në një hije të rreme që hedh ‘copa djathi’ për mijtë poshtë pullazit.
Luli i njohu ‘kontributet’ dhe njëkohësisht lavdëroi ‘trashëgiminë’ e Berishës. Madje luftoi kundërshtarët brenda radhëve pse ata nuk e ruajnë trashëgiminë, por ‘unë e ruaj trashëgiminë e Berishës’.
I habiti të gjithë. Edhe sikur vetë Zarathustra të kishte zbritur e të lavdëronte ‘të Ligën’ mes njerëzve, njerëzit do ta kishin marrë me gurë. Lulzim Basha ishte ngjitur në fronin ‘persian’ të hyjnores, pikërisht pse kishte guxuar e kishte nxjerrë Berishën jashtë ‘Parlamentit të PD’. Atëherë u tha se ‘Shtetet e Bashkuara i dhanë urdhër: ‘Do ta nxjerrësh atë apo do të dilni së bashku!’. Në saje të kësaj ‘trimërie’ sot Basha ndodhet në krye të PD.
Dje, teksa fliste, doli e kundërta. Doli se ‘duhet ruajtur trashëgimia’ e Berishës. Trashëgimia e Berishës do të thotë korrupsion, krime kundër njeriut, vrasje shtetërore e qytetarëve protestues, djegie e njerëzve për interes të ekonomisë së familjes, luftë civile, konflikt mes krahinave, përçarje, intriga, minim i demokracisë… Uuuh, sa e gjatë është trashëgimia e Berishës, që Basha bëri thirrje ‘të ruhet’.
Prandaj Drejtësia po e vë në bankën e të akuzuarit.
Dje ’Zarathustra’ harroi për cilin mesazh kishte zbritur, për atë që ‘Zoti vdiq’, apo për mesazhin ‘Jam edhe unë me zotin… Berisha!’.
Nesër e pasnesër mund të pyesin çfarë ndodhi? Ndodhi ajo që kishte ndodhur dje. Po vjen 21 Janari i vrasjes shtetërore të katër dëshmorëve në oborrin e qeverisë Berisha, dhe u gjëmojnë kambana brenda kafkës së kokës. Aty ishin të dy bashkë, te gryka e armës…, tani siç Basha nuk kallëzon Berishën, as Berisha nuk kallëzon Bashën.
Nuk është faji i Zarathustrës nga Irani, por i një zakoni të vjetër shqiptar të ‘fishekut në pajë’.