Një person është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur në Vushtrri të Kosovës. Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla ka konfirmuar se një nga të plagosurit është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkaq zëdhënësi i Policisë Avni Zahiti ka njoftuar se dy persona janë arrestuar lidhur me ngjarjen. Po ashtu policia ka sekuestruar edhe armën e krimit, që dyshohet se kanë përdorur autorët.
“Rreth orës 15:50, është raportuar se në kryqëzimin e rrugëve ‘Mehmet Konjuhi’ dhe ‘Rifat Galica’ nga arma e zjarrit ka humbur jetën një person ndërsa dy persona tjerë kanë mbetur të plagosur. Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona të dyshuar si dhe është konfiskuar një armë. Hetimet e mëtejme po vazhdojnë nga njësite përkatëse policore”, thuhet në përgjigjen e Avni Zahitit.