U aludua se kishte ikur nga vendi, Ilir Meta shfaqet në rrugët e Tiranës

Ilir Meta është fotografuar sot në Tiranë, pas disa aludimeve në media, se është larguar nga Shqipëria pas aksioneve të SPAK. Këto aludime që nuk u hodhën poshtë nga PL, u lidhën me faktin se Meta shmangu çdo dalje të tij publike, madje edhe konferencat për shtyp që i kishte të përjavshme.

Sot ai është parë në rrugët e Tiranës, fillimisht te berberi dhe më pas duke konsumuar një kafe në një bar afër stadiumit “Air Albania”.

Meta reagoi publikisht për herë të fundit më 22 tetor, pas arrestimit të Jamarbër Malltezit dhe ndalimit të Berishës për t’u larguar nga vendi, pas masës për “detyrim paraqitje”.

Kreu i Partisë së Lirisë reagoi për vendimin e GJKKO-së për caktimin e masës ‘detyrim paraqitje’ për ish-kryeministrin Sali Berisha sa i takon çështjes së privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Në një mesazh në rrjetet sociale, Meta theksoi se kjo është drejtësi me regji. Ai u shpreh se urdhri politik është dhënë nga Rama, ndërsa nënvizoi faktin se po shantazhohet opozita.

“Drejtësia me regji ka ndërmarrë veprimet e saj antikushtetuese dhe të paligjshme ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike Prof. Dr. Sali Berisha me urdhër politik të Edi Ramës.

Këto veprime, që kanë shkelur me këmbë edhe Parlamentin e Shqipërisë kërkojnë shmangien e vëmendjes nga korrupsioni dhe përgjegjësitë shumë të rënda personale të Edi Ramës për aferën e inceneratorëve dhe mjaft aferave të tjerave qindra milionëshe.

Qëllimi politik i vetëm është shantazhi dhe intimidimi i opozitës, e cila po denoncon me këmbëngulje të vërtetat shumë të hidhura të korrupsionit mafioz të Qeverisë”-shkruante Meta një javë më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com