Vrasja e Liridonës, eksperti rendit faktorët që çojnë në ekzekutimin e grave

Eksperti i sigurisë Skënder Perteshi është shprehur se janë një sërë faktorësh që çojnë në vrasjen e grave, duke nisur nga patriarkati, dënimet e ulëta, situata ekonomike, etj.

Komentet Perteshi i bëri në “Euronews Albania”, ku komentoi vrasjen e Liridona Ademajt me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murselit, ngjarje për të cilën tha se duhet të priten përfundimet e hetimeve për zbulimin e shkakut.

Perteshi tha gjithashtu se është krijuar një pabarazi e madhe mes burrave e grave, gjë që sipas tij çon në një numër më të madh të krimeve në familje.

“Edhe njëherë po e cek, siguria dhe çështjet e kriminalitetit interferojnë njëra me tjetrën, por të gjitha vrasjet janë vrasje individuale… Nuk ka ndonjë informacion zyrtar të dalë nga Policia apo Prokuroria e Kosovës për shkaqet e kësaj vrasjeje.

Në përgjithësi është numri i madh i vrasjeve në Kosovë e në Shqipëri, faktorët që po ndikojnë në numrin e madh të vrasjeve, patriarkati, traditat e vlerat. Është krijuar një pabarazi e madhe mes grave e burrave.

Të gjitha këto krijojnë një traditë që e bën më të thjeshtë për burrat që të vrasin gratë. Ka raste që gratë kanë raportuar dhunë ndaj tyre nga burrat, mirëpo dënimet që janë marrë ndaj tyre kanë qenë shumë të vogla. Hallka që nuk funksionon është Prokuroria dhe Gjykata. Këtu dhuna ndaj grave nuk dallon nga Shqipëria, në Kosovë apo në rajon”, tha Perteshi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *