VIZITA HISTORIKE e Erdogan-it në Greqi, nënshkruhen 14 marrëveshje. Prapaskenat e takimit pajtues me Mitsotakis

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan vizitoi Greqinë dhe u takua me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis në një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara midis dy vendeve anëtare të NATO-s si dhe për të përmirësuar lidhjet e Ankarasë me aleatët perëndimorë.

“Ndjej një përgjegjësi historike për të shfrytëzuar këtë mundësi për t’i sjellë të dy vendet krah për krah ashtu si kufijtë tanë – tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, raportoi Reuters.

Pavarësisht disa mosmarrëveshjeve, nuk ka probleme të pazgjidhshme mes Ankarasë dhe Athinës, tha sot presidenti turk, duke shpjeguar se Turqia dëshiron të vazhdojë momentin pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, raporton Reuters.

Sipas mediave të huaja mes dy vendeve “armike” të Ballkanit janë nënshkruar 14 marrëveshje historike që do të normalizojnë dhe përmirësojnë ndjeshëm marrëdhëniet mes tyre.

Ky shtrëngim duarsh mes kryeministrit grek Kiriakos Mitsotakis dhe presidentit turk Rexhep Taip Erdogan këtë të enjte në Athinë shënjoi erën e mirë që duket se po fryn më në fund në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Kreu i shtetit turk u shfaq i buzëqeshur pas 6 vitesh në kryeqytetin grek ku prit fillimisht nga presidentja dhe më pas nga kryeministri i vendit. Mitsotakis tha pas takimit 90 minutësh se vizita ishte një kapitulli i ri në marrëdhëniet mes 2 vendeve.

“Greqia dhe Turqia duhet të jetojnë në paqe, të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre dhe ato që nuk mund të zgjidhen, nuk duhet të çojnë në kriza. Ndjej një borxh historik për t’i afruar të dy vendet”, tha ai. Edhe Erdogan u shfaq optimist në komentet e tij, duke folur për nevojën e zhvillimit të një “dialogu konstruktiv”.

“E them hapur. Nuk ka asnjë problem kaq të madh mes nesh që nuk mund të zgjidhet nëse ecim me mirëbesim dhe fokusohemi në pamjen e madhe. Vendet duhet të mbajnë kanale të hapura komunikimi”, tha Erdogan.

Pinat – qeni i pallatit kryeministror grek “Megaros Maximos”, i cili është gjithmonë i pranishëm në eventet e mëdha, nxitoi edhe sot të mirëpresë presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, së bashku me Kiriakos Mitsotakis.

Siç shihet edhe në foto, Pinati ndodhej në mes kur dy drejtuesit u takuan në hyrje të pallatit. Pinat ka marrë edhe përkëdheljet e ministrit të Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis.

Surpriza e Mitsotakis me qenin e tij të dashur nuk ishte e vetmja skenë që tërhoqi vëmendjen nga takimi pajtues mes liderëve të Athinës dhe Ankarasë. Kjo pasi, Erdogan e surprizoi homologun e tij grek duke i dhuruar një libër për historinë e Gazës.

Dhurata është me simbolikë të veçantë, duke pasur parasysh situatën që mbizotëron në Izrael pas sulmit të Hamasit më 7 tetor. Sipas të njëjtave informacione, dhuratën e ka dorëzuar këshilltari diplomatik i presidencës turke, Tsagatai Kiliç te drejtoresha e zyrës diplomatike të kryeministrit grek, Anna Maria Eleni Boura, ndërkohë që takimi Mitsotakis-Erdogan ishte në zhvillim e sipër.

Ndërkohë sa i përket tryezës, mediat greke raportojnë se ushqime tradicionale janë përfshirë në menunë e seancës plenare të Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit, ku do të marrin pjesë Erdogan dhe Mitsotakis me ministrat e tyre. Sipas informacioneve, menuja në drekën e punës do të përfshijë dollma (japrakë), sallatë taramo, peshk, kallamar, hallvë dhe fruta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com