Viktor Orban: Serbia është provokuar! Sanksionet ndaj saj, qesharake dhe të pamundura

Në Granada të Spanjës nisi zyrtarisht debati për një reformim të thellë të Bashkimit Europian për të mundësuar zgjerimin. Liderët e 27 vendeve anëtare dhe udhëheqësit e institucioneve të Bllokut zhvilluan një takim informal me fokus të veçantë tek ndryshimi i disa rregullave kyçe. Aty u konfirmua se “zgjerimi mbetet mjeti më i fuqishëm gjeopolitik i BE-së dhe se Komuniteti Politik Europian nuk mund ta zëvendësojë atë”.

“Është një investim për paqen, sigurinë, demokracinë dhe më e rëndësishmja, prosperitetin. Është një proces nga i cili përfitojnë të gjithë të përfshirët, anëtarët aktualë dhe ata të rinj. Zgjerimet e fundit na kanë treguar se kështu ndodh. Prandaj mesazhi im kryesor ishte që duhet të nisim një diskutim të vërtetë për reformimin e brendshëm të BE-së. Duhet që edhe ne të jemi gati, kur vendet kandidate të jenë gati. Prandaj duhet të nisim tani pasi është vonuar shumë. Tani është e qartë se çfarë funksionoi për 27 nuk do të funksionojë për 32, 33 apo 35 shtete anëtare”, tha Roberta Metsola, presidente e Parlamentit Europian.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, nënvizoi rëndësinë e përcaktimit të një afati të qartë për zgjerimin, teksa tha se vendet kandidate i dinë mirë detyrat e tyre, ashtu si edhe Unioni. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se nga zgjerimi fitojnë të dyja palët, ata që anëtarësohen por edhe BE.

“E dimë që qëllimi ynë është që më në fund të pranojmë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, 20 viteve të mbushura me premtime”, u shpreh Olaf Scholz, kancelar i Gjermanisë.

Sanksionimi i Serbisë, pas sulmit të fundit të armatosur në Banjskë të Kosovës ishte pjesë e diskutimeve në samitin e liderëve të BE-së, temë e cila ngjalli dhe përplasje.

“Sanksionet ndaj Serbisë janë qesharake dhe të pamundura. Serbët kanë pësuar rregullisht provokime në dy vitet e fundit. Kështu që duhet të kuptojmë që kosovarët duhet të sillen ndryshe. Mos i provokoni serbët. Provokimet çojnë në reagim, i cili më pas sjell paqëndrueshmëri. Prandaj, pa Serbinë nuk ka stabilitet në Ballkan”, deklaroi Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë.

Në samitin e Spanjës liderët dhe udhëheqësit e BE-së u përplasën edhe për çështjen e emigracionit të paligjshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com