Tensioni në Bashkinë Himarë/ Meta hesht për votën e këshilltarëve të tij: I janë vërsulur bregdetit

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i ka quajtur një “turp” votimet në Këshillin e Bashkiak në Himarë për zgjedhjen e kryetares së komanduar, Blerina Bala.

Ilir Meta u shpreh se ishte një përpjekje për të poshtëruar himarjotët, pasi sipas tij, ata e kanë treguar vullnetin e tyre në zgjedhjet vendore.

Meta u shpreh se Fredi Beleri është rrëmbyer dhe jo arrestuar, duke theksuar se asgjë se pengonte të betohej si kryebashkiak dhe më pas të rikthehej sërish në burg për t’u hetuar.

“Fredi Beleri i rrëmbyer nga shteti, jo i arrestuar. Arrestimi i Jorgo Goros është një regji të shëmtuar, qesharake të përsëritur, si puna e shumë të tjerëve, janë të akuzuar me fakte që më përpara por nuk veprohet në kohën e duhur, por në bazë të regjisë të Ramës për të shtensionuar diçka. Ajo që ndodhi në Himarë është e turpshme, sepse Himara e ka treguar vullnetin e saj. Edhe pse u rrëmbye kandidati Fredi Beleri, por Himara është Himarë kjo ndihmoi të rebelohej pak më shumë dhe e shprehur vullnetin e vet.

Asgjë se pengon Fredi Belerin të betohet dhe të shkojë në burg për t’u hetuar. Duhet të ndiqej i lirë, janë palaçollëqe të inskenuara, i jepet leje që të shkojë të përcjellë gjyshen por jo të betohet dhe të delegojë kompetencat e tij në mënyrë legjitime. Përpjekje për të poshtëruar popullin e Himarës, për të vijuar aferat për të cilat u fut në burg Beleri. I janë vërsulur Himarës, bregdetit”, tha Meta në News24.

Meta nuk ka bërë ende asnjë koment për votën pro të këshilltarëve të partisë së tij dhe Berishës për komandimit të Blerina Balajt në krye të bashkisë.

Gjashtë anëtarë të partive opozitare në Këshillin Bashkiak të Himarës votuan pro komandimit të Blerina Balës në krye të bashkisë Himarë.

Ata janë Qirjako Mërkuri nga LZHK, Maks Vlashi nga Mega, Fuat Mati nga Rithemelimi dhe Aleks Llazari nga PD, Timoleo Gërdhuqi nga PL dhe Milto Nika nga PSD.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com