Temperaturat zbresin nën zero, trashësia e borës deri 50 centimetra, cilat janë akset më problematike

Dëbora mbuloi në 24 orët e fundit zona të verilindjes deri në juglundje duke shkaktuar probleme me qarkullimin rrugor në qarqet Kukësit, Dibrës, Malësisë së Madhe të Shkodrës si dhe Korçës.

Trashësia arriti deri 50 centimetra në zonat e thella të Dibrës, ndërsa në qytetin e Peshkopisë shkoi edhe mbi 20 centimetra.

Si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës disa akse rrugore janë bërë të pakalueshme.

Mësohet se pas ndërprerjes së reshjeve të dëborës rreth orës 23:30 të mbrëmjes së kaluar, autoritetet kanë ndërhyrë me mjete borëpastruese dhe kanë kriposur të gjitha akset kryesore rrugore. Temperaturat në Peshkopi kanë zbritur disa gradë nën zero.

Personat që u bllokuan në by pass-in e Qafë Murrizës u ndihmuan nga policia dhe u larguan nga aty. Bëhet me dije se një pjesë e atyre që kanë lënë mjetet aty ku u bllokuan kanë shkuar tek të afërmit e tyre në ato zona ku kishin mbetur.

Aksi Peshkopi-Maqellarë-Bulqizë-Tiranë është i kalueshëm, por duhet të përdoren gomat dimërore.

Aksi Peshkopi-Koben-Vasie-Kukës është i kalueshëm, por duhet të përdoren gomat dimërore dhe zinxhirët në rast vështirësish.

Aksi Peshkopi-Muhurr-Draj-Reç është i kalueshëm me vështirësi me zinxhirë.

Situata problematike vijon në Dibër ku disa njësi administrative si Lura, Selishta, Zall Reçi, Kalaja e Dodës dhe Luznia mbeten të bllokuara. Sot pritet që të ndërhyhet në rrugët e fshatrave. Dëbora e madhe ka thyer disa pemë si pasojë e peshës. Po ashtu janë thyer disa shtylla elektrike duke lënë pa energji disa njësi administrative. Kjo avari u rregullua nga OSHEE po brenda mbrëmjes së kaluar.

Problematika paraqiten edhe në Bulqizë, Klos e Mat. Policia apelon drejtuesit e makinave të shmangin lëvizjet e panevojshme, të përdorin gomat e dimrit dhe zinxhirët si dhe të tregojnë kujdes pasi ka ngrica në të gjitha akset rrugore.

Në orët e mbrëmjes së djeshme edhe në juglindje nisën reshjet e borës, veçanërisht në zonat pranë Pogradecit e fshatin turistik të Dardhës. Në Qafë Thanë, bora ka rënë me intensitet më të lartë, por pa sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve. Edhe qyteti i Korçës u përfshi nga reshjet e borës.

Sa i përket reshjeve të shiut që kanë përfshirë pjesën tjetër të territorit, pavarësisht sasisë së madhe autoritetet lokale nuk raportojnë problematika me përmbytjet, ndërkohë që për shkak të erërave të forta disa lundrime në Durrës dhe Vlorë janë pezulluar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *